Ekipi i Lutfi Hazirit i “kundërpërgjigjet” Hotit

Prishtinë | 27 Shk 2021 | 10:23 | Nga Ekonomia Online

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë filluar të bëhen publike preferencat për të parin e partisë vetëm pak ditë pasi është caktuar data e zgjedhjes së tij.

Imet Rrahmani, anëtar i LDK-së ka publikuar sot një fotografi ku shihet krah nënkryetarit Lutfi Haziri.

“Mirëmengjesi LDK-ista!”, ka shkruar Rrahmani në postimin e tij në facebook duke bërë kështu të ditur rreshtimin e tij krah Hazirit për të marrë timonin e partisë.

Image

Ndërkohë, një ditë më parë të njëjtën gjë e kishte bërë edhe nënkryetari tjetër i LDK-së, njëherësh kryeministri në detyrë Avdullah Hoti duke publikuar një fotografi me Kujtim Shalën.

“Mirëmbrëma të gjithë anëtarëve të LIDHJES”, kishte shkruar mbrëmë Hoti.

Deri më tani, disa emra janë lakuar si kandidatë potencialë për të marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi Isa Mustafa kishte ofruar dorëheqjen nga kjo pozitë pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit ku LDK-ja mori vetëm rreth 13 për qind të votave të qytetarëve.

Në mesin e të përfolurve për kryetar të LDK-së janë Lutfi Haziri, Kujtim Shala e Lumir Abdixhiku ndërkohë që Anton Quni e ka shprehur edhe publikisht pretendimin e tij për të marrë në dorë udhëheqjen e partisë.

Kuvendi Zgjedhor për kryetarin e ri të LDK-së do të mbahet më 14 mars. Sipas statutit të kësaj partie, asnjë kandidaturë për kryetar nuk është e zyrtarizuar pa marrë 50 për qind plus një votë të delegatëve të pranishëm në Kuvend. Pikërisht kjo ka qenë pika që po kërkohet të ndryshohet nga shumë zyrtarë të LDK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme