Ekipi negociator qeveritar për dialog me Serbinë duhet të raportojë në Kuvend

Prishtinë | 21 Dhj 2018 | 12:51 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), kanë mbajtur takimin e katërt koordinues të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës lidhur me rolin mbikëqyrës të dialogut Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online.

Jeta Krasniqi nga KDI, tha se ky është takimi i katërt që organizohet në kuadër të asistencës të KDI-së që dy vite i ofron komisioneve e deputetët e që të rritet dhe fuqizohet roli mbikëqyrjes i Kuvendit në zbatimin e marrëveshjeve në lidhje me dialogun.

“Kemi bërë vizita në terren kemi punuar me komisione për të nxitur raportimet e agjitacioneve dhe komisioneve që janë të obliguar të kryejnë marrëveshjet që roli i Kuvendit në mbikëqyrjen e këtij procesi të jetë në zbatim”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se ky proces është duke u financuar nga ambasada e Zvicrës dhe do të jetë përkrahëse edhe për dy vitet e ardhshme.

Ajo tha se bashkëpunimi ka qenë i mirë me komisionet parlamentare, por sipas saj, ende duhet punë për të bërë dhe të aktivizohen edhe më shumë.

“Në shumë raste komisionet nuk kanë qenë aktive dhe besojmë se kanë mundësi të jenë më aktive duke ftuar institucione përkatëse apo të bëjnë vizita që të del në pah se çfarë po bëhet në këtë proces”, tha Krasniqi.

Muharrem Nitaj, kryetar i komisionit për Bujqësi, tha se pasi tani është krijuar ekipi negociator nuk ka nevojë të diskutohet për një periudhë të kaluar sepse sipas tij, nuk është funksionale.

“Është ndërruar ekipi negociator dhe Kosova tani po futet në fazën finale të dialogut, këto do të jenë materie diskutimi në këtë fazë në mes dy Kosovës dhe Serbisë. Nëse ne po diskutojmë për një periudhë të kaluar nuk e di se sa do jemi funksional”, tha Nitaj.

Driton Selmanaj, kryetari komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, tha se me krijimin e ekipit negociator më mirë është të bëhet një plan për të i monitoruar marrëveshjet dhe kur të monitorohet ajo marrëveshje të ftohen gjitha komisionet dhe të informohen për rezultatet e saj, raporton EO.

“Koncentrimi ynë duhet të jetë në monitorimin e marrëveshjeve që kanë qenë më herët, nëse një komision vendos me monitoruar një marrëveshje atëherë të ftohemi gjithë ne dhe ta shikojmë se si ka ndodhë”, tha ai.

Safete Hadërgjona, nënkryetare e komisionit për Buxhet dhe Financa, ka lavdëruar punën e doganave të Kosovës.

“Ka pas një zbatueshmëri të mirë të marrëveshjeve, por edhe sfida në zbatueshmëri, më ka gëzuar fakti në doganë për punën e mirë që kanë bërë si institucion në zbatueshmërinë e marrëveshjeve që kanë të bëjnë me doganën”, tha Hadërgjonaj.

Xhelal Sveçla, zëvendëskryetar i komisionit për Kthim dhe Komunitet, tha se marrëveshjet që janë të një anshme vetëm nga ana e Kosovës dhe që nuk zbatohen nga Serbia janë të dëmshme.

“Shumë prej marrëveshjeve nuk janë implementuar nga Serbia dhe ne si komision për të implementuar marrëveshje të një anësomë është e dëmshme për Republikën tonë”.

“Qëndrimi ynë është se shumë prej marrëveshjeve janë në dëm të Kosovës nëse ne njëanshëm i implementojnë marrëveshjet dhe i japim mundësi palës tjetër të implementojnë marrëveshjet që atyre u konvenojnë”.

Vjosa Osmani, kryetare e komisionit për Politikë të Jashtme, tha se diplomat nuk njihen nga Serbia dhe kjo është një shtytje për të parë nga afër se sa janë afër këtij implementimi, po ashtu edhe kthimi i kadastrave.

Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit për Legjislacion, tha se marrëveshjet nuk po zbatohen nga Serbia.

Haxhiu po ashtu ka përmendur ekipin e ri negociator, ajo tha se nuk mund të hyhet në një fazë të re të dialogut përderisa ende nuk e kanë legjitimitetin, raporton EO.

“Një marrëveshje që është e mirë si ajo diploma gjykata Kushtetuese në Serbi e ka hedhur poshtë. Për asnjë shtet sovran nuk është normale me pas kopje të regjistrit kadastral, por duhet të i ketë origjinalet”, tha ajo.

Sala Berisha-Shala, kryetare e komisionit për Zhvillim Ekonomik, tha se ka dështuar një votim i Kosovës për kufijtë energjetik dhe sipas saj, kjo mirë që ka ndodhur dhe nuk është votuar pasi që nëse do të votohej kjo Kosova kufijtë energjetik do të i kishte deri në Liqenin e Ujmanit.

“Bordi i ZRrE është zvarritur nga ana e deputetëve për një vit, tani kemi një bord gjysmakë pritet të kompletohet dhe nuk po ndodh, është i pakompletuar bordi i KOSST dhe është në proces dhe të jemi unik në këto çështje që janë obligimet tona si deputet dhe pa ngjyrime politike”, tha Berisha-Shala.

Të ngjashme