Ekspertët e Ballkanit: Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës e Serbisë nuk është më në tavolinë

Prishtinë | 16 Nën 2019 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Dy njohësit e rrethanave në Ballkan, Wolfgang Petrich dhe Edward Joseph, kanë folur për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Petrich ka thënë se trasenë se nga do të shkojnë bisedimet duhet ta shtrojnë vetë Prishtina dhe Beogradi pa ndërhyrje nga jashtë, ndërkohë Joseph, duke folur për gazetën serbe “Blic”, ka thënë se tashmë ideja e korrigjimi të kufijve është duke u zhbërë si ide.

Sipas Joesph duhet të pritet dhe të shikohet se si do të qaset në dialog Albin Kurti, pasi që ky i fundit ka thënë se do të jetë i përqendruar në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

“Qeveria në Prishtinë duhet të presë sepse ekziston një figurë krejtësisht e re politike në lojë – Albin Kurti, të cilin nuk e kemi parë deri më tani në Kosovë apo rajon, i cili është i përqendruar në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Joseph, transmeton Express.

Sipas Joseph, Kurti do t’i japë një intensiteti të ri bisedimeve, dhe sipas tij përfshirja e kreut të VV-së në dialog mund të ndryshojë edhe pozicionin e Hashim Thaçit.

“Do të japë gjithashtu një vrull të ri në bisedime, por gjithashtu mund të ndryshojë pozicionin e presidentit Hashim Thaçi. Unë pres ndryshime në dialog, por në të njëjtën kohë nuk besoj se ajo do të zhvendosë pozicionet e veta kur bëhet fjalë për reciprocitet dhe shkëmbimin e territorit”, ka shtuar Joseph.

Tutje Joseph, shprehet se është i lumtur që tashmë korrigjimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve ka filluar që të zhbëhet si zgjidhje, pasi sipas tij një ide e tillë do të ishte fatkeqësi për dy palët.

“Unë jam i gëzuar që shkëmbimi i territoreve po zhbëhet si zgjidhje pasi do të ishte fatkeqësi për të dyja palët, si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Disa udhëheqës në rajon, siç është presidenti i Maqedonisë Veriore e quajtën atë “idenë më të dobët”. Unë mendoj se do të ketë pasoja negative për serbët, për këtë arsye, njerëzit në Kosovë janë të brengosur me të drejtë. Serbia duhet ta trajtojë Kosovën me respekt dhe të bëjë marrëdhënie të qëndrueshme. Kisha Ortodokse Serbe duhet të ketë sovranitetin mbi pasuritë e saj fetare dhe gjithashtu duhet të jetë sinjal për pakicën serbe që jetën në Jug se Serbia është gjithmonë e pranishme. Serbia duhet të mësojë nga e kaluara. Realiteti është se historia e fundit n Kosovë nuk filloi në vitin 1999, por një dekadë më herët me Millosheviqin, shpërnguljen, armatosjen e shqiptarëve… Të dyja palët duhet të merren me këto gjëra dhe të mos tregojnë gishtin njëra-tjetrës”, ka thënë analisti amerikan, Joseph,

Sa i përket bllokimit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Joseph thotë se pajtohet plotësisht me përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, i cili ka thënë se një vendim i tillë ishte gabim historik.

“Unë do të pajtohesha me atë që tha Matthew Palmer, duke e quajtur këtë gabim historik, pra mospranimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Vendim plotësisht i keq nga Emanuel Macron. Ajo është e keqe në çdo rast dhe veçanërisht në imazhin e Maqedonisë Veriore që ka bërë hapa të mëdhenj dhe lëvizje të rrezikshme madje edhe emocionuese për qytetarët e saj. Shpresoj se ka ende një vizion evropian për Ballkanin Perëndimor dhe Macron duhet të marrë përgjegjësi për zhvillimet negative që mund të ndodhin në rajon” ka potencuar ndër të tjera.

Ndërkohë ish-diplomati austriak, Wolfgang Petrich, thotë se dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i duhet një transformim i plotë.

“Duhet të shohim gjithashtu se cilat janë pikëpamjet e të dy palëve, Beogradit dhe Prishtinës, ku ekziston një ngërç nuk ka asnjë përparim dhe pastaj të shohim se çfarë do të bëhet”, thotë ai.

Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi duhet të vendosin se nga do të shkojë dialogu, duke potencuar se Bashkimi Evropian nuk duhet të shtyjë në asnjë drejtim.

“Nëse të dy palët gjejnë një kompromis, bien dakord dhe vendosin diçka atëherë bëhet e mundur, përfshirë këtu edhe shkëmbimin e territorit, qasje kjo që është cilësuar e gabuar”, ka potencuar Petrich.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme