Ekspertët kanë afat t’ia dërgojnë Qeverisë “vetingun” deri në fund të majit

Prishtinë | 14 Maj 2020 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Në fund të këtij muaji, Grupi Punues i Ekspertëve të Pavarur do ta dorëzojë në Qeverinë në detyrë ekspertizën për veting, e cila është edhe hapi i parë drejt instalimit të këtij procesi në vend. Ministria e Drejtësisë ka deklaruar për Gazetën Express se nuk ka marrë ndonjë kërkesë për shtyrje të këtij afati as pas pandemisë. MD-ja tashmë ka bërë një analizë të vendeve që kanë kaluar nëpër këtë proces, për të marrë shembuj.

Përhapja e pandemisë në Kosovë nuk do të ndikojë në fillimin e instalimit të procesit të vetingut në vend. Në fund të këtij muaji, në Ministrinë e Drejtësisë do të dorëzohet një ekspertizë e pavarur në mënyrë që ajo më vonë të përcillet për votim edhe në Qeverinë në detyrë të Kosovës.

Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për Gazetën Express ka deklaruar se Albulena Haxhiu ka komunikuar me anëtarët e Grupit të Ekspertëve për vetingun, mirëpo nuk ka pranuar kërkesë nga ta për shtyrje të afatit.

“Pas vendimit të Qeverisë lidhur me masat me qëllim të mospërhapjes së pandemisë COVID-19, Ministrja Haxhiu ka komunikuar me anëtarët e Grupit të Ekspertëve për vetingun në sistemin e drejtësisë me qëllim të koordinimit të punës së tyre dhe po ashtu i ka njoftuar që varësisht nga rrethanat, nëse kërkohet nga Grupi i Ekspertëve, mund të shtyjmë afatin por deri tani nuk kemi pranuar asnjë kërkesë për shtyrje të afatit”, ka deklaruar MD-ja.

Ky dikaster ka deklaruar se puna e këtij Grupi është e pavarur dhe se grupi i ekspertëve ka pasur takime e ka marrë përgjegjësitë sipas vendimit të Qeverisë.

“Puna e këtij Grupi është plotësisht e pavarur. Komunikimet e ministres kanë qenë vetëm në kuptim të koordinimit në rrethana pandemie dhe rëndësisë që ka ky proces. Grupi i ekspertëve ka pasur takime dhe kanë marrë përgjegjësitë e tyre sipas vendimit të Qeverisë”, thotë MD-ja, teksa sqaron se afati për dorëzim mbetet në fund të këtij muaji.

“Sipas vendimit të Qeverisë, afati për propozimin e skenarëve për veting është deri në fund të muajit maj”, thuhet në përgjigje.

Ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu, megjithatë, duke pasur parasysh rrethanat pas përhapjes së pandemisë, e ka lënë të hapur mundësinë për ndonjë afat shtesë, mirëpo, sipas MD-së, një gjë e tillë mund të shtyhet më së shumti për një muaj.

“Ndonëse nuk është vendosur dhe as nuk ka ende kërkesë nga Grupi i Ekspertëve, ministrja e ka lënë të hapur mundësinë e ndonjë afati shtesë, jo më shumë se një muaj, por vetëm nëse kjo kërkohet nga Grupi”, thuhet në përgjigje.

Dikasteri që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu ka theksuar se është duke i pritur propozimet e këtij grupi për të parë se cilin version do ta mbështesë MD-ja paralelisht me analizën që kanë bërë deri më tani për këtë çështje.

“Sa i përket vetingut, siç kemi theksuar në vazhdimësi, është mekanizëm shumë i rëndësishëm dhe interes nacional me qëllim të kthimit të besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Ne presim propozimet e Grupit të Ekspertëve për të parë se cilin version do ta mbështesë Ministria e Drejtësisë dhe paralelisht me këtë si kabinet kemi bërë një analizë të vendeve që kanë kaluar procesin e vetingut për të parë se çka mund të marrim si shembull dhe nga cilat gabimet mund të mësojmë”, ka deklaruar MD-ja për Gazetën Express.

Në anën tjetër, Gazeta Express merr vesh se grupi ka nisur punën, megjithatë ka pasur disa vonesa shkaku i pandemisë.

“Grupi ka nisur punën, ndonëse me vonesë relative shkaku i pandemisë. Kjo nënkupton që njëlloj ka mundësi që rezultati përfundimtar të jetë me po aq kohë vonesë e pakta, gjithsesi kohë shtesë e arsyeshme dhe në funksionim të plotë të substancës së punës dhe cilësisë së rezultatit. Dhe në këtë drejtim, Grupi ka formuluar tashmë kornizat konceptuale të përmbajtjes dhe ka shpërndarë përgjegjësinë – përcaktimin për angazhimet individuale”, ka thënë ky burim për Gazetën.

Procesi i vetingut mund të mbetet në gjysmë në rast se Kushtetuesja vendos për formimin e Qeverisë së re e jo për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kjo pasi që AAK-ja, partia e cila merr udhëheqjen e MD-së në rast se formohet qeveria në krye me Avdullah Hotin, ka paralajmëruar se do të anulojë procesin për verifikimin e së kaluar së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

I nominuari për ministër të Drejtësisë nga Aleanca, Selim Selimi, ka thënë se ndërkombëtarët janë marrë me këtë proces e nuk ka nevojë që të krijohen mekanizma që mund të kontrollonin prokurorinë e gjykatat.

Vetingu në drejtësi, sipas MD-së, mund do t’i marrë dy vjet kohë Kosovës, derisa do të bëhet në bashkëpunim të plotë me Kuvendin.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, në vazhdimësi është kritikuar për mosefikasitet dhe mosofrim të shërbimeve me kohë për qytetarët që të kenë besim në këtë mekanizëm.

Fillimisht, sipas Ministrisë, do të ketë veting për policinë, prokurorinë, gjykatat, pastaj AKI-në, doganat, ATK-në dhe njësinë e inteligjencës financiare.

Të ngjashme