Ekspertët thonë se dialogu me Serbinë është i pashmangshëm, data e takimit vetëm çështje teknike

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 19:43 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u bë kryetemë e ditës teksa në një prononcim për media nga Brukseli tha se nuk do të marrë pjesë në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 11 maj – takim ky i cili u paralajmërua nga kryediplomati evropian Josep Borrell.

Kurti potencoi se nuk mund të marrë pjesë në një takim në të cilin nuk e ka konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen veçse bëri të ditur se në Bruksel do të shkojë përsëri për ndonjë drekë ose darkë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor, njofton Klan Kosova.

“Unë nuk marr pjesë në atë takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Ajo çka mund të konfirmoj është se do të vij në Bruksel për ndonjë drekë ose darkë punë të konfirmuar nga Borrell ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor. Vizita që e kemi këtu dy ditë është në kuadër të marrëdhënieve tona bilaterale, që na nevojiten edhe më shumë marrëdhëniet e tilla të forcuara dhe takimet e tilla të rajonit para se të fillojmë kapitullin e ri të dialogut që duhet të jetë i përgatitur mirë edhe me parime pasi nuk e kemi komoditetin për dështime të reja”, ka thënë Kurti.

Mirëpo, ekspertët e integimeve evropiane dhe njohësit e dialogut thonë se rifillimi i këtij procesi është i pashmangshëm teksa data e caktimit të takimit në mes të dyja palëve është vetëm çështje teknike.

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku në një intervistë për KlanKosova.tv tha se thelbësore në këtë proces duhet të jetë përmbajtja dhe temat që do të diskutohen.

“Rifillimi apo vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një çështje politike pashmangshme. Ndërsa pajtimi për datën e takimit ndërmjet palëve të përfshira në këtë proces është vetëm një çështje teknike e cila nuk ndryshon asgjë. Thelbësore në këtë proces është fokusi në përmbajtje dhe temat që do të diskutohen, dhe jo çështjet logjistike dhe agjendat kohore të takimeve”.

Çollaku mes tjerash tha se takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit kurdo që të mbahet do të shënojë vetëm vazhdimin e këtij procesi.

Sipas tij, do të pasojnë edhe takime tjera sa i përket dialogut Kosovë- Serbi dhe se ky proces nuk është vetëm prioritet i këtyre dyja palëve.

“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë cilësohet të jetë prioritet apo një temë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë. Mirëpo edhe për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një gjë e tillë është e natyrshme duke marrë në konsideratë që të dy shtetet e përfshira në këtë proces, e kanë kusht të veçantë arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve ndër-shtetërore, në rast se duan të bëjnë progres në procesin e integrimit në BE”.

“Takimi i parë i Kurtit me Vuçiqin kurdo që të mbahet, do të shënoj vetëm vazhdimin e këtij procesi të gjatë dhe të vështirë. Ndërsa në të ardhmen do të këtë edhe shumë takime në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje përfundimtare e cila duhet të përfundoj me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” tha Çollaku.

Nga ana tjetër, eksperti i integrimeve evropiane Besnik Vasolli për KlanKosova.tv tha se refuzimi i këtij takimi vjen pasi palët nuk ishin të koordinuara.

“Sipas informatave të publikuara del se takimi nuk ka qenë mirë i koordinuara me të gjitha palët. Sekretariati i cili organizon takimet duhët të përgatisë një agjendë të harmonizuar me palët e dialogut paraprakisht dhe të gjendet një kohë e përshtatshme për të gjitha palët. Nëse këto veprime nuk janë ndërmarrë atëherë është më se e sigurtë që takimet do të dështojnë”.

Vasolli foli edhe për ndryshimin e prioritetit që pati Kurti për dialogun teksa theksoi se njohjen nga Serbia nuk e pret së shpejti.

“Dialogu ishte në top pesë prioritetet e Qeverisë në ardhje, ashtu siç ishte deklaruar zotëri Kurti. Kjo tregon që ka qenë edhe me herët një ndër prioritet e qeverisë së tij dhe siç e dimë prioritetet nuk adresohen njëra pas tjetrës, ato adresohen paralel me njëra- tjetrën. Ajo që është e rëndësishme është të kuptohemi sa më mirë me partnerët tanë ndërkombëtarë, së paku deri në atë nivel që nuk cenohet funksionalitetit dhe sovraniteti i vendit. Përfundimi i suksesshëm i këtij dialogu do të sjellë paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe mirëqenie në dy anët e kufirit”.

“Zgjidhja përfundimtare do të marrë kohë, me gjithë vullnetin e Bashkësisë Ndërkombëtare zgjidhja finale është larg, njohja e Kosovës nga Serbia nuk duket të jetë afër. Por mbi të gjitha, nga dialogu nuk duhet kërkuar humbësin apo fituesin, dialogu ka për qëllim zgjidhjen e problemeve tashmë të akumuluara me dekada mos të themi për shekuj. Rezultatet nga ky dialog do të zgjidhnin problemet si për qytetarët po ashtu dhe për komunitetet në dy anët e kufirit. Dy shteteve ju nevojitet të përmbyllin këtë kapitull dhe të drejtojnë tërë energjinë drejt zhvillimit ekonomik dhe anëtarësimit në BE, deri sa kjo të mos kuptohet nga të dy palët, zgjidhja përfundimtare do të jetë gati si e pamundur” tha Vasolli.

Ndërkohë, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se gjithçka rreth takimeve që Kurti zhvilloi me zyrtarë në Bruksel duhet t’i tregoj vetë ai në një konferencë për media kur të kthehet.

Krasniqi mes tjerash deklaroi se në të gjitha këto takime padyshim se u diskutua edhe për dialogun.

“Ka qenë e pritshme që pas takimeve të kryeministrit në Bruksel të ketë rifillim të dialogut. Kurti e ka bërë të qartë se nuk e ka prioriteti numër një por është e qartë se nuk e ka prioritetin që e ka pas në qeverinë e kaluar. Gjithcka mbetet të shihet kur kryeministri Kurti të kthehet besoj se do të ketë një konferencë për media ku do të tregojë më shumë rreth vizitës dhe takimeve që ka zhvilluar në Bruksel”.

“Në këto vizita padyshim që u diskutua për dialogun dhe gjërat që kjo qeveri i ka në fokus si pandemia dhe vaksinat. Por, është e pritshme edhe që zotëri Kurti ta diskutojë edhe liberalizimin e vizave dhe ta bëjë të ditur planin qeverisës që ka për katër vitet e ardhshme teksa dialogu do të jetë tema kryesore”, tha Krasniqi për KlanKosova.tv

“Duhet të presim se çfarë do të thotë Kurti pas kthimit, presim te bëjë publike takimet dhe temat që janë trajtuar dhe të tregoj pozicionin e qeverisë së Kosovës karshi dialogut nuk pres përshpejtim të këtij procesi – por sqarim rreth dialogut se a do të vazhdohet ku është lënë dhe besoj se Qeveria duhet të ndajë me publikun se si do të veprojnë tutje”.

Por çfarë mendojnë rreth përfshirjes së Veton Surroit dhe Blerim Shalës në ekipin negociator?

Çollaku, Vasolli dhe Krasniqi u pajtuan në një pikë që pjesë e ekipit negociator për dialogun Kosovë-Serbi duhet të jenë njerëz që kanë përcjellë ndër vite këtë proces dhe kanë ‘background’ për këtë çështje ku sipas tyre Surroi e Shala e kanë vendin e duhur në ekip.

“Përfshirja në proces e ekspertëve të caktuar, sigurisht që duhet të konsiderohet pozitive. Mirëpo, puna e tyre do të varet shumë nga fakti se sa do t’i marrë në konsideratë këshillat dhe propozimet e tyre kryeministri Kurti”, tha Çollaku.

Vasolli tha se duke e ditur rëndësinë e dialogut për Kosovën pjesë e ekipit negociator duhet që qeveria të zgjedh ekspertët më të mirë.

“Kosova duhet të ketë një ekip mirë të pregaditur i cili do të përbëhet nga shoqëria civile, partitë politike – por edhe nga komuniteti akademik. Një qasje gjithëpërfshirëse e përcjellur me transparencë, për aq sa rrethanat lejojnë, është më se i mirësëardhur. Në këtë frymë e shoh edhe angazhimin e zotëri Surroit dhe zotëri Shalës. Në fakt mosangazhimi i tyre në këtë proces do të ishte gabim strategjik”.

Ndërkohë, Krasniqi u shpreh se nuk pret që opozita të përfshihet në procesin e dialogut për shkak të historikut politik teksa i mbetet qeverisë që t’i afrohet opozitës dhe ta mbajë të informuar për gjithë procesin.

“Kurti kërkoi që partitë politike të jenë të bashkuara në dialog. Por, nuk pres që të përfshihen për shkak të historikut tashmë të ditur që partitë kanë mes vete. Pres që të jenë të angazhuara për këtë pasi është çështje shtetërore dhe jo politike – i mbetet Qeverisë që t’i afrohet opozitës që të bëhet pjesë e dialogut të informohen dhe të konsultohen mes vete kurdo që është e nevojshme”, deklaroi Krasniqi.

Të ngjashme