Eksperti amerikan: Kurti i ashpër, vështirë do ta pranojë realitetin

Prishtinë | 16 Nën 2019 | 21:03 | Nga Ekonomia Online

Ish-Zyrtari Amerikan i Departamentit të Shtetit, James Hooper, thotë se Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, e vlerëson si një person të ‘linjës së ashpër’, duke theksuar se sapo ai të shohë se si në realitet është pushteti, do ta ketë të vështirë ta pranojë.

Në një intervistë të dhënë së fundi për Zëri i Amerikës, Hooper ka folur kryesisht rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi, por edhe ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes, dhe liderit të saj Albin Kurti.

Këtë të fundit, ish-Zyrtari Amerikan e vlerëson si të ‘linjës së ashpër’, duke deklaruar se marrëveshja ekziston dhe se Kurti, nuk do të jetë në gjendje t’i ndryshojë këto kushte.

“Të gjithë ata që nuk janë në pushtet dëshirojnë gjithmonë kushte më të mira. Dhe ata gjithmonë mendojnë se mund të sigurojnë kushte më të favorshme. Kur marrin detyrën, ata zbulojnë se nuk mund të sigurojnë kushte më të mira. Dhe kjo do të jetë vështirësia për Kosovën dhe mendoj në veçanti për zotin Kurti, sepse ai shihet si dikush që ka marrë një pozicion të linjës së ashpër. Ai do të zbulojë se në fakt ka tashmë një marrëveshje dhe se nuk do të jetë në gjendje t’i ndryshojë këto kushte”, ka thënë Hooper, transmeton Gazeta Metro.

Tutje, ai ka folur edhe idesë për ndryshimin e territoreve, ku ka theksuar se nuk mund të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse pa një element territorial, të cilën sipas tij, Kurti do ta ketë të vështirë për ta pranuar.

“Nuk mund të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse pa një element territorial. Nuk e di se cila do të jetë pikëpamja e Albin Kurtit. Pikëpamja si një udhëheqës i një partie opozitare është diçka tjetër, e kuptoj pikëpamjen e tij në atë rol. Cili do të jetë këndvështrimi i tij në postin e kryeministrit, këtë nuk e di dhe nuk dua të spekuloj. Por mendoj se ai do të gjendet përballë realitetit dhe për të mund të jetë një realitet i vështirë për t’u pranuar. Realiteti është se marrëveshja tashmë është negociuar. Marrëveshja ekziston. Në thelb është rënë dakord”, tha Hooper.

Ndryshe, Hooper konsiderohet si një prej ekspertëve më me përvojë në negociatat diplomatike dhe në çështjet e Ballkanit. Në disa deklarata radhazi ai është shprehur se marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të ndodhë sa më shpejt.

Ndërkaq në secilën ai ka theksuar se një e tillë, duhet me çdo kusht ta ketë edhe një element territorial.

Të ngjashme