Ekspertja e sigurisë për Interpolin: Më mirë tërheqja sesa dështimi

Prishtinë | 15 Tet 2019 | 18:22 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka tërhequr kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë – Interpol.

Ekspertja e sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj, ka thënë për Klan Kosovën se Kosova nuk duhej të aplikonte fare këtë vit për anëtarësim në Interpol.

“Në fakt, mendoj që nuk është dashur që të aplikohet fare duke marrë parasysh situatën politike që ka qenë – për disa muaj, qeveria ka qenë në krizë dhe para rënies”.

“Ideja ka qenë që në raste të tilla të veprohet më me maturi dhe procese të tilla të rëndësishme të shtyhen deri në një moment kur qeveria është më stabile dhe mund të organizohet një iniciativë e tillë në mënyrë më të harmonizuar”.

“Mendoj që prej dy të këqijave është më mirë që të tërhiqemi se sa të mos arrijmë të anëtarësohemi, sërish. Kjo krijon më pak dëm se sikur të kishim shkuar më tutje me procesin dhe të ishim refuzuar. Ideale do të kishte qenë që të mos aplikonim fare këtë vit sepse nuk kanë qenë kushtet”.

Ajo ka thënë se të gjithë akterët në qeverinë e re të Kosovës duhet të jenë të unifikuar në politikën e jashtme dhe të kenë prioritete të qarta se çfarë kërkon Kosova si shtet.

“Në të ardhmen, është shumë me rëndësi që një qeveri stabile ta ketë një kornizë të politikave të jashtme e cila është e konsoliduar ku jemi të unifikuar si shtet në atë që po kërkojmë. Duhet të kemi prioritete të qarta të politikës së jashtme”.

“Pa marrë parasysh kush pozicionohet ku sa i përket koalicionit qeverisës në të ardhmen, duhet të jemi shumë të unifikuar sa i përket politikës së jashtme dhe fushatave të ndryshme diplomatike që i shfrytëzojmë për të zhvilluar marrëdhënie të reja në bashkëpunime të jashtme, por edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si Interpoli”.

Të ngjashme