Elezi: Fushata zgjedhore për kryetar të Podujevës fillon më 3 mars

Prishtinë | 24 Shk 2020 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Fushata parazgjedhore për kryetar të Komunës së Podujevës do të fillojë më 3 mars dhe do të zgjasë deri më 13 mars.

Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, raporton Epoka e Re.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët garues për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës të fillojë më 3 mars dhe të përfundojë më 13 mars. Pra, janë gjithsej 11 ditë në dispozicion të subjekteve politike dhe kandidatëve për të zhvilluar fushatën e tyre zgjedhore”, ka bërë me dije Elezi.

Elezi ka theksuar se më 2 mars, KQZ-ja do të organizojë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.

“Vetëm një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të organizojë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve”, është shprehur Elezi.

Në garë për zgjedhjet për kryetar të Podujevës janë tre kandidatë, Nexhmi Rudari nga LDK-ja, Naim Fetahu nga PDK-ja dhe Shpejtim Bulliqi nga Vetëvendosje.

Zgjedhjet për kryetar të Podujevës mbahen pas emërimit të Agim Veliut në postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme