Emërimet partiake e familjare në borde, dëmtuan raportet me britanikët

Prishtinë | 17 Mar 2021 | 20:29 | Nga Ekonomia Online

Partneriteti me Ambasadën e Britanisë së Madhe në vendin tonë, shpeshherë u dëmtua për shkak të emërimeve në baza partiake e familjare.

Në vitin 2019 Ambasada britanike në Kosovë u tërhoq nga monitorimi i emërimeve publike në pozicione të larta.

Ambasada britanike kishte nënshkruar disa memorandume me institucionet e Kosovës për të mbikëqyrur emërimet në institucione të pavarura publike dhe agjenci të ndryshme, në mënyrë që të zgjedhën persona kompetentë.

Drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Jeton Mehmeti thotë se ky projekt që kishte për qëllim të pengojë nepotizmin nuk ka shkuar mirë.

“Në 85 procese rekrutimi ku kanë marrë pjesë britanikët, del se as në gjysmën e tyre puna nuk ka shkuar siç është paraparë”, thotë për RTV Dukagjinin, Jeton Mehmeti.

Mehmeti thotë se u emëruan borde të ndikuara nga politika të cilat më pas zgjodhën menaxhmentet e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike.

“Menaxhmentet e emëruara më pas kanë vazhduar me avazet e vjetra duke bërë punësime në baza partiake”, shtoi më tej Demi.

Naser Shamolli nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike thotë se mosrespektimi i memorandumeve me britanikët jep mesazh të keq nga shteti.

“Kjo jep një mesazh shumë të keq pasi që marrëveshjet mund të konsiderohen se janë lidhur mes dy shteteve”, shprehet Shamolli.

Pavarësisht këtyre gjërave britanikët kanë shprehur interesimin për të ndihmuar Kosovën edhe në tri vitet e ardhshme ku rreth 100 pozita të nivelit udhëheqës do të mbikëqyreshin nga ta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme