Emërimi i Escobar për Ballkanin, Çollaku: ShBA e përkushtuar, Qeveria e Kosovës pa gatishmëri për arritje të marrëveshjes

Prishtinë | 01 Sht 2021 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emëruan Gabriel Escobar, në vend të Matthew Palmer, si i dërguar Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Kjo për njohësit e çështjeve politike, po konsiderohet edhe përkushtim i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në raport me dialogun e Kosovës për normalizim të marrdhënieve me Serbinë.

Një gjë të tillë po e thotë për Klankosova.tv, edhe Bekim Çollaku, i cili për emërimin e Escobarit, po e sheh si dëshmi angazhimi të SHBA-së, në rolin vendimtar në bisedime.

”Politika e jashtme e SHBA-së në mbështetje të Kosovës është konsistente dhe e pazëvëndësueshme”.

”Një dëshmi e këtij angazhimi është roli vendimtar i SHBA-së në mbështetje të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Që nga fillimi i këtij procesi, SHBA-të kanë përkrahur këtë proces nëpërmjet përfshirjes direkt të emisarëve apo zyrtarëve të lartë të emëruar nga Presidenti i SHBA-së apo departamenti i shtetit”.

”Pikërisht në këtë kontekst duhet kuptuar edhe emërimin e të dërguarit të ri të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor z. Gabriel Escobar”.

”Pra, SHBA-ja ka qenë, është dhe mbetet e përkushtuar për arritje të marrëveshjes përfundimtare e cila duhet të përfundojë me njohje reciproke”.

Megjithatë ai vlerëson se është Qeveria e Kosovës, ajo e cila po tregohet e papërgatitur për dialog dhe marrëveshjen përfundimtare, njofton Klankosova.tv.

”Mirëpo, pyetja që duhet të shtrohet është se a është e gatshme Qeveria e Kosovës të tregohet e përgjegjshme dhe serioze për arritjen e marrëveshjes përfundimtare?”.

”Fatkeqësisht, deri më tani nuk kemi parë gatishmëri nga qeveria për arritjen e marrëveshjes”.

”Si rezultat i kësaj qasje joserioze të qeverisë, Kosova ka humbur në masë të konsiderueshme simpatinë dhe përkrahjen që ka pasur në vazhdimësi nga faktori ndërkombëtar”.

”Prandaj është imperative për Kosovën që qeveria të fillojë të sillet në mënyrë të përgjegjshme ndaj këtij procesi dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë”.

Të ngjashme