Emërimi “përçarës” i Kurtit për Luginën – Ardita Sinani s’tregon a do të largohet nga PVD

Prishtinë | 20 Sht 2022 | 16:22 | Nga Ekonomia Online

Emërimi i Ardita Sinanit nga kryeministri Kurti si këshilltare politike për Luginën e Preshevës u përcoll me kritika për faktin se Sinani bart edhe funksion partiak në Luginë konkretisht atë kryetares së degës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë. Ish-kryetarja e Preshevës, nuk e pohoi e as mohoi nëse do të japë dorëheqje nga posti partiak pas angazhimit në zyrën e Kurtit. Sinani tha se me rëndësi është të funksionalizohen institucionet sepse emrat e drejtuesve të institucioneve ndërrohen.

Kryetari aktual i Preshevës, Shqiprim Arifi, që nga distanca është “konfrontuar verbalisht” me shefin e qeverisë kosovare e quajti budallaki të Kurtit emërimin e Sinanit këshilltare politike.

“Unë nuk e shoh si luftë sepse varet prej perceptimit. E shoh si një budallaki nga Qeveria Kurti, dhe edhe njëherë po e them drejt, Albini është viktimë e Liburn Aliut”, ka thënë Arifi.

E kontaktuar nga Gazeta Express, ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, nuk tregoi nëse do ta lë jetën partiake në Luginë pas angazhimit në qeveri.

Ajo u shpreh se emrat e drejtuesve të institucioneve ndërrohen dhe se me rëndësi është të funksionalizohen institucionet.

“Është e rëndësishme që tashmë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ka adresë të posaçme institucionale në Republikën e Kosovës. Pas buxhetimit të Luginës së Preshevës nga Republika e Kosovës,  funksionalizimi i këtij mekanizimi qeveritar të Republikës së Kosovës  fuqizon institucionalizimin e trajtimit të Luginës së Preshevës edhe si punë sistematike shtetërore.   Emrat e drejtuesve të institucioneve ndërrohen, me rëndësi është të funksionalizohen dhe zhvillohen institucionet.  Pra, që tashmë kemi zyre si Luginë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Të punojmë bashkërisht për ta zhvilluar”, tha Sinani.

Sinani tha gjithashtu se Zyra për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë do të jetë adresa zyrtare e Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës.

“Krijimi dhe funksionalizimi i infrastrukturës institucionale në shërbim të bashkëkombësve që jetojnë jashtë kufijve administrativ është praktikë e shteteve demokratike; evropiane dhe përtej. Ka 20 vjet që Beogradi e ka zyrë, buxhet dhe plan e program për Luginën e Preshevës, madje edhe për Kosovën (serbët e Kosovës).  Zyra për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është adresa zyrtare e Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës. Jemi në shërbim të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, pa përjashtim.   Lugina e Preshevës ka probleme të shumta për shkak të diskriminimit dhe shtypjes sistematike. Rrjedhimisht bashkërendimi i Republikës së Kosovës me Luginën e Preshevës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Të ecim tutje për t‘i përmirësuar dhe përparuar të drejtat dhe mirëqenien e të gjithëve në Luginën e Preshevës”, tha ajo.

Kryeministri Kurti emërimin e Sinanit si këshilltare politike për Luginën e Preshevës e cilësoi si hap të parë për themelimin e Zyrës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Për këtë reagoi deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili tha se Kurti po provon të promovojë ide të reja të cilat janë implementuar nga qeveria Hoti para dy vitesh, sikur kjo me Zyrën për Luginën.

Ish-zëvendëskryeministri Selmanaj tha se më 28 shtator 2020, Qeveria e Kosovës më qëllim të institucionalizimit të mbështetjes shtetërore për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ka votuar në mbledhjen e saj për themelimin e kësaj Zyre.

Të ngjashme