Emini: Kurti duhet te ketë qasje ndryshe nga elita e vjetër në raport me dialogun

Prishtinë | 13 Mar 2021 | 07:34 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Analistja politike, Donika Emini në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi asnjëherë nuk ka qenë prioritet i palës kosovare, por që ky proces duhet të vazhdojë.

Sipas Eminit kreu i VV-së,  Albin Kurt, fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit, duhet të ketë një qasje ndryshe nga elita e vjetër në raport me dialogun.

“Dialogu duhet të vazhdojë, asnjë kryeministër nuk duhet të fshihet pas listës së prioriteteve pasi që dialogu kurrë nuk ka qenë prioritet për Kosovën. Ne kur kemi hyr në dialog kemi hy sepse ka qenë një proces i shtyrë nga partnerët tanë strategjik, jo që ne kemi e dasht si proces sepse për ne gjithçka ka përfunduar në 2008-ën. Jemi në një proces të ri i cili politikisht është i pakthyeshëm nëse dalim nga ky proces ka kosto shumë të madhe politike kështu që duhet të vazhdojë”, është shprehur ajo.

 “Si duhet të vazhdojë është çështje e Kurtit i cili e ka një mbështetje shumë të madhe të qytetarëve për të udhëhequr një proces të tillë. Nga Kurti pritet mos të sillet si elitat e vjetra në raport me dialogun, çka duhet është që ndërtohet një pozicion i shtetit në raport me këtë proces. Të ndërtohet më trasparencë, në vlera dhe principe duke e ditur qartë se si do të arrijmë deri të njohja sepse ne dimë që ajo është qëllimi, por hapat se si nuk i dimë dhe nuk na kanë treguar deri më tani Kurti dhe Osmani. Kurti është rritur politikisht duke kundërshtuar elitën e vjetër politike në raport me dialogun me Serbinë dhe kompromiset të cilat janë bërë”, ka shtuar ajo.

Për Eminin vazhdimi i mandatit i të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak për procesin e dialogut është i duhuri pasiqë ai është treguar bashkëpunues deri më tani.

“Nuk ka person tjetër në BE që mundet me u marr me Kosovën dhe Serbinë si Lajçak. Ka një pozicion ndoshta jo të favorshëm për Kosovën sepse vjen nga Sllovakia mirëpo nëse sheh backgroundin e tij politik ai ka studiuar në Rusi ka qenë në OKB një kohë të gjatë dhe burokrat i BE-së, mirëpo ka qenë edhe në Ballkan. I ka të gjitha elementet të cilat i duhen një procesi të tillë. Vazhdimi i mandatit të tij do të ishte i mirë sepse deri më tash është treguar megjithatë bashkëpunues. Mbaj mend që Mogherini ka ardhur në Prishtinë vetëm njëherë gjatë krejt mandatit të saj. Lajçak tregon që ka vullnet dhe do të bashkëpunoj më shoqërinë civile edhe me qeverinë dhe opozitën”.

Emini ka komentuar për EO edhe vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, për të cilën ka thënë se duhet të ndodhë ashtu siç koordinohemi me Administratën Biden dhe vendet e BE-së.

“Ka qenë një njohje që ka ardhur me një kosto të madhe politike. Izraeli është një fuqi rajonale, teknologjike dhe vet shtetet e rajonit kanë ndryshuar qasjen ndaj Izraelit kohëve të fundit marrë parasysh që kanë ndodhur shumë marrëveshje tjera të cilat janë fasilituar nga ShBA-të dhe kanë rregulluar marrëdhëniet e Izraelit me vendet e Lindjes së Mesme. Kosova duhet së bashku me administratën e re Biden edhe me vendet e BE-së me u koordinuar në raport me vendosjen e ambasadës atje”.

Analistja ka folur edhe për çështjen e presidentit, duke thënë se Vjosa Osmani nuk gëzon mbështetje të partive politike për këtë pozitë.

“Deri më tani nuk është se është pritur me vullnet të madh, nuk është se partitë politike kanë treguar vullnet politik për mbështetje mirëpo nuk kanë treguar as hezitim për të mbështetur duke qëndruar në sallë, jo duke e votuar po duke qëndruar për ta bërë të mundshëm procesin e votimit për Osmanin”.

“Në këto zgjedhje ka folur elektorati-qytetarët duke qenë si kandidate potenciale për presidente mbështetja të cilën e ka marrë në numër-vota, ka një diskrepancë shumë të madhe prej çdo anëtari tjetër prej partive politike që mund të jetë. Sa është koncesuale është problem tjetër mirëpo koncensus është mbështetja të cilën e merr në parlament atëherë nuk besoj që ka problem me zgjedhjen e saj si president”, ka përfunduar ajo për EO.

Të ngjashme