Emrat e kandidatëve për deputetë që mashtruan se janë “prof.dr.”

Prishtinë | 19 Tet 2019 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Janë së paku dhjetë kandidatë për deputetë që kishin mashtruar elektoratin, kur në fushatën elektorale të zgjedhjeve të parakohshme, përpara emrit e mbiemrit kishin vënë titullin akademik “prof. dr.”. Mbështetur në të dhënat e institucioneve arsimore ku punojnë, ata nuk i kishin titujt që i proklamonin.

Pjesë e këtij mashtrimi ishin ish-ministra, ish-deputetë dhe njerëz të afërt me eksponentët kryesorë të politikës. Madje edhe një ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Prof. dr.” është shkurtesa për “profesor i rregullt”, gradë kjo më e larta akademike që lëshojnë universitetet në Kosovë. Mbështetur në Statutin e Universitetit të Prishtinës, ky titull sigurohet nga kandidatët që, përpos që e kanë gradën e doktorit të shkencës, ata tregojë edhe nivel të lartë dhe kompetencë akademike e përvojë shkencore për lëndën, që dëshmohet me një numër të rëndësishëm të monografive, teksteve mësimore, publikimeve në revista ndërkombëtare shkencore ose artistike, me më së paku 5 punime kryesore të publikuara në revista shkencore ose artistike ndërkombëtare, si autor i parë ose korrespodent. Veç kësaj, edhe me pjesëmarrje aktive në konferencat kombëtare dhe ndërkombëtare, pastaj me përvojë afatgjatë në projekte të kërkimeve themelore dhe të aplikueshme, me aftësi të lartë arsimore dhe pedagogjike përmes praktikës së arsyeshme, me aftësi për udhëheqje akademike, si dhe me udhëheqje të temave të masterit dhe të doktoratës. Krahas emërimit për tituj, edhe kohëzgjatja e punësimit për ata që fitojnë këtë gradë bëhet për kohë të pacaktuar. Kjo vlen vetëm për profesorët e rregullt dhe jo për gradat e tjera, sikur është ajo profesor i asociuar (prof. asoc.) apo profesor asistent (prof. ass.).

Kadri Kryeziu kohë të gjatë ka shërbyer si gjyqtar i Kushtetueses. Ishte edhe nënkryetar i saj. Në zgjedhjet e 6 tetorit ai ka garuar në listën e Partisë Demokratike (PDK), e cila pas 12 vjetësh në pushtet tani është renditur si subjekt i tretë.

Në faqen e hapur në Facebook, përpara emrit të tij ndodhet shkurtesa “prof. dr.”. Por, ai ka gradë më të ulët akademike se kjo që e ka prezantuar. Mbështetur në uebfaqen e Universitetit të Prizrenit ku jep mësim, Kryeziu e ka vetëm gradën “prof. i asoc.”, për fitimin e së cilës janë përshkruar në Statut kritere shumë më të ulëta sesa për gradën “prof. dr.”.

Kryeziu i ka thënë gazetës se e pranon gabimin dhe se i kërkon falje publikut për këtë. Por, ka theksuar të mos jetë bërë për qëllime mashtrimi.

“Faqen ma kanë mbajtë ata të shtabit. Unë thirrjen shkencore e kam doktor shkence. Thirrjen akademike e kam profesor i asociuar. Shtabi e ka bërë pa e ditur dallimin mes thirrjes shkencore dhe asaj akademike”, ka thënë Kryeziu. “E kanë bërë më lehtë. Mund të jetë një gabim teknik, i cili nuk luan shumë rol në gradim. Unë jam në fazën për ta marrë titullin profesor i rregullt”.

Albena Reshitaj ka qenë ministre e Mjedisit në qeverinë e drejtuar nga Haradinaj dhe është liruar nga detyra me kërkesë të Aleancës Kosova e Re (AKR), parti me të cilën kishte ardhur në pushtet. Pas largimit nga ministria, i ishte bërë këshilltare Haradinajt. Në zgjedhjet e 6 tetorit ajo ka kandiduar me listën e AAK-së dhe, gjatë fushatës zgjedhore, në informacionet që i ka postuar në faqen zyrtare të saj në Facebook, ka prezantuar titullin akademik “prof. dr.”. Në fakt, ka më pak se një vit prej kur Reshitaj është bërë profesoreshë asistente, gradë kjo më e ulëta e profesorit të universitetit, dhe jo më e larta, siç ia ka përshkruar vetes. Ish-ministrja nuk u ka kthyer përgjigje pyetjeve që i janë përcjellë në e-mail zyrtar, përkitazi me mashtrimin e bërë me titullin akademik.

Ndërkaq janë katër kandidatë të tjerë të PDK-së, përpos Kryeziut, që kishin bërë mashtrim të njëjtë, duke u prezantuar si “prof. dr.”.

Ramë Buja, ish-ministër i Arsimit, jep mësim në Kolegjin AAB. Bazuar në uebfaqen e këtij institucioni privat të arsimit të lartë, ai e ka gradën më të ulët të profesorit – atë “prof. ass.”, që për dy grada është më poshtë se “prof. dr.”. Buja nuk iu ka kthyer përgjigje pyetjeve përkitazi me këtë mashtrim të bërë.

Bekim Haxhiu, i njohur si “Kamishi”, në disa mandate ka qenë deputet dhe ka thënë të ketë siguruar vota për të qenë pjesë e legjislaturës së ardhshme. Ai ka doktoruar në Tiranë në 2016 dhe para kësaj, për një kohë, ka qenë asistent në Fakultetin e Mjekësisë në UP.

Haxhiu i ka thënë gazetës se nga Senati i kolegjit privat “Rezonanca” posedon titullin profesor asistent (prof. ass.) dhe se është edhe ligjërues në Degën e Fizioterapisë në Fakultetin e Mjekësisë në UP. Sipas tij, akronimi i titujve përpara emrit nuk përbën akronimin e titullit akademik që e ka, por kombinimin e titullit shkencor me atë akademik.

“Thirrja ime e vendosur para emrit tim prof. dr. është bazuar në thirrjen shkencore dhe akademike të vlerësuar nga institucionet përgjegjëse të arsimit, bazuar në Ligjin për Arsimin e Lartë”, është justifikuar ai.

Blerim Latifi ka garuar në zgjedhjet e 6 tetorit në listën e PDK-së, pas të cilave ai është treguar kritik me bashkëpartiakët, duke thënë se partinë nuk e kishin mundur subjektet opozitare, por “lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri-tjetrit”. Ka qenë këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili edhe e drejton PDK-në. Në fotografinë e vendosur gjatë fushatës në cover, në faqen e tij në Facebook, para emrit Latifi ka prezantuar gradën “prof. dr.”, ani se në biografinë e tij që ndodhet në uebfaqen e UP-së ai bart titullin më të ulët të profesorit – atë “prof. ass.”. As Latifi nuk u është përgjigjur pyetjeve, që kërkonin të adresonin prezantimin joreal të gradës akademike që e ka.

Edhe Gani Halilaj ka qenë kandidat i PDK-së për deputet dhe përpara kësaj ka ushtruar disa funksione publike në Drenas. Është mjek dhe doktor shkence, dhe ka një marrëdhënie pune me kolegjin privat UBT. Ky kolegj nuk ia ka përshkruar asnjë gradë akademike, por në posterët nëpërmjet të cilëve i është prezantuar elektoratit, ai e ka vendosur gradën “prof. dr.”.

“Posterët nuk i kam bërë unë. Ato i ka bërë një shok i imi me djalin. Vetëm kur i kam parë të kryera”, thotë Halilaj, por i cili e justifikon titullin e vënë, ani se e ngatërron atë shkencor me titullin akademik. “Unë kam titullin akademik doktor shkence në mjekësi klinike, pasi unë jam neuropsikiatër, por me titull shkencor doktor shkence. Njëherësh, jam profesor në kolegjin privat në UBT dhe në pritje për të marrë titullin profesor i asoc.”.

Dukuria e mashtrimit me gradë veçmas është vërejtur në kampin e subjekteve që në këtë mandat ishin në pushtet, por që u ndëshkuan me votën e 6 tetorit.

Mashtrimin e kanë bërë edhe 4 kandidatë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të Ramush Haradinajt.

Sikur ish-ministrja Reshitaj, që i takon kësaj partie, ka vepruar edhe kandidati tjetër i AAK-së, Muhamet Kelmendi. Kelmendi, megjithëkëtë, e ka një gradë më të lartë se Reshitaj. Është profesor i asociuar në Kolegjin privat AAB, por jo profesor i rregullt, titull që i figuron përpara emrit në faqen e tij në Facebook.

Kelmendi ka thënë se përshkrimi i titullit përpara emrit është punë e tij dhe e ka mohuar ta ketë bërë për qëllime mashtrimi.

“Nuk ka mashtrim. Përkundrazi”, ka thënë ai. “Titulli ‘prof. dr.’ është më i ulët se titulli ‘prof. dr. asoc’”.

Në fakt, është e kundërta. Mbështetur në Ligjin për arsimin e lartë, por edhe në statutet e bartësve të arsimit të lartë, “prof. dr.” është grada më e lartë akademike, ndërsa “prof. asoc” është e ndërmjetmja nga tri grada profesori sa janë.

Kandidati tjetër i kësaj partie, Vehbi Imeri, e ka shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook një intervistë, në të cilën prezantohet si “prof. dr.”, mirëpo në disa postime ai e ka vënë titullin e vërtetë që e posedon – atë më të ulëtin që universitetet kanë për profesorët, “prof. ass.”. Imeri nuk ka dhënë një arsye për veprimin e bërë.

Ndërkaq Dega e AAK-së në Vushtrri e ka prezantuar kandidatin Nehat Maxhuni si “prof. dr.”, ani se nuk e mban këtë gradë. Maxhuni figuron si anëtar i stafit akademik në kolegjin “Biznesi”, por aty nuk ka ndonjë gradë akademike të përshkruar. Gazeta nuk ka mundur të vërë kontakte me të.

Mashtrues ka edhe në parti të tjera.

Artan Haziri ka qenë kandidat për deputet i Nismës Socialdemokrate. Edhe ky përpara emrit ka vënë titullin “prof. dr.” e të cilin nuk e posedon, meqë për ta marrë këtë gradë kërkohet së paku 8 vjet të jetë në marrëdhënien e punës si profesor me titull më të ulët. Emri i tij figuron në mesin e stafit akademik të kolegjit privat “Universum”, mirëpo aty nuk ka ndonjë gradë akademike të përshkruar.

“Po, jam profesor i rregullt në kolegjin ‘Universum’”, ka thënë ai shkurt, dhe nuk i është përgjigjur kërkesës së gazetës për ta dëshmuar këtë me kopjen e vendimit të Senatit të këtij kolegji.

Në fillim të vitit ish-bashkëpartiaku i tij, Shyqyri Bytyqi, që e drejton Ministrinë e Arsimit, e kishte emëruar anëtar të Bordit të Universitetit të Gjilanit. Në gusht e kishte shkarkuar, meqë Bytyqi kishte ndërruar parti dhe në vend të tij e kishte vënë një eksponent të AAK-së.

Gazeta nuk ka mundur të gjente raste të kësaj natyre edhe në listat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe të Lidhjes Demokratike (LDK), subjekte këto që ishin në opozitë, por që vota e 6 tetorit i ka renditur të parat.

Të ngjashme