Ende asnjë i dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit

Prishtinë | 05 Maj 2018 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Prokurorit Special të Kosovës ka shqyrtuar dëshmitarët e mundshëm, por asnjë vendim nuk është marrë për të arrestuar ndonjë të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Kështu të paktën ka thënë për gazetën serbe Danas, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku.

Millaku nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës se në cilën fazë të hetimit është rasti, dhe çfarë dëshmish ka marrë zyra e prokurorit në Prishtinë nga ajo në Mitrovicë.

Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Detajet e hetimit ende nuk dihen, kurse Prishtina dhe Beogradi akuzojnë njëra-tjetrën se nuk po bashkëpunojnë për ta zbardhur rastin.

Sllobodan Petroviq nga Partia e Pavarur Liberale Serbe, tha se ai nuk mund të flas për detaje të rastit, pasi ato mund të ndikojnë në hetimet të cilat janë duke vazhduar.

Kurse zyra e prokurorisë për krimin e organizuar në Beograd kanë këmbëngulur se detajet për rastin e Ivanoviqit janë krejtësisht konfidenciale.

Ata kanë akuzuar Kosovën se e ka dërguar vetëm një pjesë të provave të kërkuara.

Kurse Rada Trajkoviq ka vlerësuar se Beogradi dhe Prishtina nuk po japin detaje për rastin, pasi këtë gjë e ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare.

Sipas saj, ata kanë kërkuar që gjithë hetimet të jenë konfidenciale në mënyrë që të mos ketë ndikime politike.

Të ngjashme