Endrit Shala pritet të emërohet sot ministër i Tregtisë dhe Industrisë

Prishtinë | 01 Tet 2018 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me kërkesë të Nismës Socialdemokrate pritet të emërojë sot gjatë ditës Endrit Shalën ministër të Tregtisë dhe Industrisë.

Portali “Indeksonline” raporton se sipas burimeve të veta brenda Qeverisë, emri Shalës për emërim tashmë ndodhet në zyrën e kryeministrit.

Endrit Shala i cili deri me tani mbante postin e shefit të Kabinetit të zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj, është njëri nga themeluesit e Nismës Socialdemokrate.

Ai është anëtar i kryesisë së këtij subjekti dhe sekretar për marrëdhënie me publikun nga ky subjekt.

Shala është një nga personat më të afërt të kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka mbetur pa ministër që disa javë. Për një vit këtë ministri e kishte drejtuar, Bajram Hasani, kryetar i degës së Nismës në Gjilan.

Të ngjashme