Engel: ShBA-ja të mos bashkëpunojë me Specialen nëse ajo vazhdon të funksionojë në baza etnike

Prishtinë | 05 Nën 2020 | 20:14 | Nga Ekonomia Online

Udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj presidentit të deritanishëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe disa ish-luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.

Engel thotë se Thaçi ka treguar respekt për sundimin e ligjit me dorëheqjen nga posti i presidentit për t’u ballafaquar me akuzat e Speciales, teksa ai shton se Kongresi do ta monitorojë nga afër Gjykatën Speciale për të siguruar se ajo garanton sundim të ligjit dhe të drejtat e të akuzuarit në çdo rast.

Ai ka shprehur shqetësimin mbi mandatin e Speciales. Sipas tij, statuti mbi të cilin është ngritur ajo nuk e kufizon gjykimin në vetëm të shqiptarëve.

“Mjerisht, duket se ajo po operon si një gjykatë etnike – një që ndjek vetëm shqiptarët për kryerje krimi”, ka thënë Engel.

Ai ka përmendur edhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi, për të cilët thotë se “nuk kanë gjetur drejtësi, edhe pse kryesit janë identifikuar dhe jetojnë në Serbi”.

Engel i ka bërë thirrje Departamentit të shtetit të SHBA-së dhe Departamentit të Drejtësisë që të verifikojnë punën e Gjykatës Speciale për të siguruar se nuk po targeton vetëm njerëz në bazë të përkatësisë së tyre etnike dhe të ndalojë bashkëpunimin ose mbështetjen e SHBA-së me Gjykatën, nëse vërtetohet se po e bën një gjë të tillë.

Të ngjashme