Enver Hasani konfirmon se ka konkurruar të bëhet Avokat i Popullit

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Enver Hasani, njëri nga protagonistët e skenës institucionale, i cili sa ishte në krye të Gjykatës Kushtetuese, jo rrallëherë ka shkaktuar debate të ashpëri politike e juridike për shkak të vendimeve në institucionin që ka drejtuar,  i ka hyrë një gare tjetër për post publik. 

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka konkurruar për Avokat të Popullit.

Kushtetuta e Kosovës thotë që Avokat i Popullit ka të drejtë të zgjidhet çdo shtetas i Kosovës, “me arsim të lartë, me karakter e moral të lartë, i ndershëm, me eksperiencë dhe njohuri të dalluara në fushën e të drejtave të njeriut”

Profesori universitar, Enver Hasani, po synon që për pesë vjetët e ardhshme të jetë Avokat i Popullit.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar vetë profesori Hasani. Sipas një njoftimi të Kuvendit, konkursi për këtë institucion është mbyllur të hënën që shkoi.

Hasani që po synon ta udhëheqë institucionin e Avokatit të Popullit, ka thënë se tash i mbetet deputetëve se a do të votojnë pro tij, ose jo.

Ai thotë se ka pritje ta udhëheq këtë institucion, por shton se të njëjtat pritje mund t’i kenë edhe të tjerët që synojnë këtë pozitë.

Sipas Kushtetutës, Avokatin e Popullit e zgjedh Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të tij, për një mandat pesëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Avokatit të tanishëm të Popullit, Hilmi Jashari, është në fundin e mandatit të tij. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë në fillim të korrikut të vitit 2015.

Të ngjashme