Enver Hoxhaj: Nuk ka pasur diskutime në PDK që të futemi në Qeveri, do të mbesim në opozitë

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 21:21 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i kryesisë së PDK’së, Enver Hoxhaj, ka thënë se partia të cilës ai i takon, do të vazhdojë të mbesë në opozitë.

I pyetur se a janë gjasat që PDK të hyjë në Qeveri bashkë me partitë që aktualisht janë në udhëheqje, Hoxhaj, ka thënë se PDK do të vazhdojë të mbetet në opozitë, por jo ndaj shtetit të Kosovës por ndaj qeverisë Hoti.

“Kjo qeveri deri më tash nuk ka deri më tash asnjë lidhje as politike e as filozofike me atë se cka është PDK-ja. Ne jemi opozitë ndaj qeverisë, por nuk jemi opozitë ndaj shtetit të Kosovës. Ju e përmendet voten tonë ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ndaj buxhetit të Kosovës. Ato marreveshje janë mbështetje e madhe e BE-së per qytetarët e Kosovës, Ndërsa tek buxheti, shumë deputëte të PDK-së dhe kryetari kanë marrë kërkesa specifike nga qytetarët e Kosovës qse janë në gjendje të rëndë ekonomike për shkak të pandemisë.”, ka thënë Hoxhaj në Klan Kosova.

Enver Hoxhaj, gjithashtu ka thënë se për këtë cështje nuk është biseduar në kryesinë e PDK-së.

“Deri më tash në PDK nuk ka pas debat, as në kryesi, as në grup parlamentar që ne mund të bëhemi pjesë e kësaj Qeverie. Ndoshta buxheti është mbështetja e fundit që ne e kemi dhënë ndaj qeverisë, edhe pse kemi vërejtje të mëdha ndaj kësaj qeverie, duke fillu me dialogun, duke fillu nga mos pregatitja e kryeministrit Hoti në Bruksel, e cila është skandal në vete”, ka thënë Hoxhaj.

Të ngjashme