Erdhi dita për “Koalicionin e shpresës”

Prishtinë | 03 Shk 2020 | 08:21 | Nga Ekonomia Online

Partia fituese e zgjedhjeve LVV-ja ka lëshuar pe ndaj kërkesës së LDK-së, që ka kërkuar pozitën e kryeparlamentarit.

Lideri i LVV-së Albin Kurti dhe kreu i LDK-së Isa Mustafa kanë zyrtarizuar dje marrëveshjen për bashkëqeverisje. Sipas kësaj marrëveshjeje, qeveria, e cila pritet të votohet sot, do t’i ketë gjithsej 15 ministri. Partia fituese e zgjedhjeve LVV-ja ka lëshuar pe ndaj kërkesës së LDK-së, që ka kërkuar pozitën e kryeparlamentarit, duke mundësuar kësisoj arritjen e dakordimit një ditë para votimit të qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin qeverisës gjatë ditës së djeshme. Përmes një konference të përbashkët për medie lideri i LVV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa njoftuan publikun për arritjen e ujdisë, e cila erdhi pas rreth katër muajsh negociata mes palëve. Që kjo marrëveshje të jetësohet LVV-së i është dashur të heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit. Rrjedhimisht kryetari tashmë i zgjedhur i Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk do të qëndrojë më në këtë pozitë, por do të kalojë në ekzekutiv, në mënyrë që posti i kryekuvendarit t’i jepet LDK-së. Qeveria LVV – LDK, e cila pritet të votohet sot, do t’i ketë gjithsej 15 ministri dhe 33 zëvendësministra, ndonëse disa muaj rresht dy palët qenë zotuar se numri i dikastereve qeveritare nuk do të ishte më i lartë se 12. Sidoqoftë, gjatë ditës së sotme, në seancën e cila do të nisë në orën 11:00, mandatari për formimin e qeverisë, Albin Kurti, do ta paraqesë përbërjen e qeverisë së re para deputetëve. Së këndejmi partitë e koalicionit paraprak PAN, PDK – AAK – Nisma, pritet të kalojnë zyrtarisht në taborin opozitar.

Kurti e Mustafa premtojnë ndryshim në Kosovë

Teksa dha lajmin për arritjen e marrëveshjes me LDK-në, kreu i LVV-së Albin Kurti tha dje se me qeverinë e re do të ndodhë ndryshimi politik, i cili në zgjedhjet e tetorit u kërkua nga rreth 400 mijë qytetarë. “Sot u takuam me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, u takuam dhe u dakorduam të takohemi edhe nesër në seancën e Kuvendit, por për ta zgjedhur qeverinë e re. Në këtë mënyrë ta jetësojmë institucionalisht ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen, jemi marrë vesh për të gjitha, përveç për harmonizimin e programit, edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re”, deklaroi ai.

Marrëveshjen e djeshme lideri i LDK-së, Isa Mustafa, e cilësoi të dobishme për Republikën e Kosovës dhe për qytetarët. “Ne kemi arritur marrëveshje, vlerësojmë që është një marrëveshje e mirë, në dobi të Kosovës, është në interes të ndryshimeve që domosdoshmëriisht do të ndodhin në vendin tonë”, u shpreh Mustafa.

Ndërkohë, teksa foli për ndryshimet, Kurti siguroi qytetarët se qeveria LVV – LDK do të sjellë reforma të shumëfishta në shumë sektorë. “Interesimi është i madh, sepse nevojat e qytetarëve janë të mëdha, ne dëshirojmë të bëjmë një reformë që është e pesëfishtë, në ekonomi, në arsim, në shëndetësi, në siguri e në drejtësi, pra pritjet e qytetarëve janë të mëdha”, theksoi kreu i LVV-së.

Konjufca kalon në ekzekutiv, LDK-ja merr postin e kryeparlamentarit

Më 26 dhjetor 2019 u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, por Glauk Konjfuca pritet ta lëshojë këtë pozitë dhe të marrë post në qeverinë e ardhshme. Gjersa foli rreth kësaj, lideri i LVV-së Albin Kurti pohoi se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta marrë postin e kryeparlamentarit. “Jemi dakorduar që LVV-ja për kryetar të Kuvendit e propozon kandidatin e LDK-së dhe në këtë mënyrë ecim përpara. Nuk do të japë dorëheqje kryetari, ai do të vijë në ekzekutiv”, theksoi Kurti.

Ndërkaq pozita e presidentit, siç tha kreu i LDK-së Isa Mustafa, do të diskutohet tek kur të vijë koha e zgjedhjes së tij. “Sa i përket presidentit, marrëveshja është të mos jetë pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar, të jetë një çështje për të cilën do të darkodohemi unë dhe Kurti si liderë politikë dhe do ta zgjidhim edhe atë çështje në kohën që është e domosdoshme të zgjidhet”, tha Mustafa.

Qeveri me 15 ministri

Pas disa takimesh radhazi zyrtarët e LVV-së dhe të LDK-së kishin thënë se numri i ministrive do të ishte 12 me ardhjen e qeverisë së re. Por me arritjen e marrëveshjes finale numri i dikastereve qeveritare është rritur, nga 12 sa ishte premtuar fillimisht, në 15 sosh. “Jemi dakorduar që në qeverinë e re t’i kemi 15 ministri, 2 zëvendëskryeministra dhe të jenë diku rreth 33 zëvendësministra. Pra nga 21 ministri sa kishim tash do të kemi 15 dhe nga 80 zëvendësministra do t’i kemi 33. Kjo tregon se qeveria jonë e përbashkët ende pa ia nisur punës ka bërë një ndryshim të madh, sepse është qeveria më e vogël në shtetin e pavarur të Kosovës”, theksoi ai.

Meqë fillimisht kishin premtuar zvogëlim të numrit të ministrive në 12, Kurti para gazetarëve dha një arsyetim për ndryshimin e shifrës fillestare. “Ne kemi vlerësuar se synimi ynë që t’i kemi 12 ministri ka qenë i drejtë, por kemi thënë që është një tendencë e jona dashamirëse për të kursyer sa më shumë. Por në anën tjetër kur kemi analizuar strukturat e ministrive përkatëse, krijimi i disa superministrive është dëshmuar se ka kosto më të madhe sesa t’i kemi 12 ministri. Pra, nëse ne nuk do ta bënim një gjë të tillë, atëherë do të zvarritej edhe për një vit reduktimi i 12 ministrive”, u shpreh ai.

Emrat potencialë për ministra

Ndonëse ende nuk kishte arritur marrëveshje me LDK-në, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti para rreth një muaji pati prezantuar emrat e ministrave që do të ishin pjesë e qeverisë së re nga ana e LVV-së.

Sipas njoftimit të Kurtit, të bërë në fillim të muajit të kaluar, deputeti Haki Abazi do të jetë zëvendëskryeministër, Albulena Haxhiu ministre e Drejtësisë, Besnik Bislimi ministër i Financave dhe i Transferimeve, Rozeta Hajdari ministre e Ekonomisë, e Tregtisë dhe e Industrisë dhe Arben Vitia ministër i Shëndetësisë. Gjithashtu Blerim Reka ishte caktuar për ministër të Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, mirëpo meqë tashmë kanë ndryshuar rrethanat për kryesimin e këtij dikasteri së fundi është lakuar emri i Glauk Konjufcës.

Në anën tjetër, LDK-ja ende nuk ka publikuar listën e personave që pritet të marrin poste në qeverinë e ardhshme. Por emri i deputetit Avdullah Hotit është lakuar si emër potencial për pozitën e zëvendëskryeministrit, emri i Anton Qunit për ministër të Mbrojtjes, Hykmete Bajrami për ministre të Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, Lumir Abdixhiku për ministër të Infrastrukturës, Besian Mustafa për ministër të Bujqësisë dhe Vlora Dumoshi për ministre të Kulturës, të Rinisë e të Sportit. Së fundi edhe emri i Agim Veliut është përmendur si i mundshëm për udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sidoqoftë, lista zyrtare do të bëhet publike në seancën e sotme, ku pritet të votohet qeveria e re. LVV-ja dhe LDK-ja do t’i kenë nga 6 ministri, kurse subjektet e komuniteteve joshumicë 3 dikastere.

LVV – LDK: Prej sot vendi me qeveri të ndryshimit

Pavarësisht faktit që disa herë iu lakua emri se do ta marrë postin e kryeparlamentares, nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani nuk e ka pohuar e as mohuar një gjë të tillë dje. E pyetur rreth kësaj Osmani ka thënë se do të shërbejë aty ku mendon se do të japë më së shumti prej vetes. “Meqë kam qenë kandidate për kryeministre nga ana e LDK-së, kemi diskutuar se ku mund ta shihja unë veten, ku mund të kontribuoj më shumë për qytetarët, aty ku mund të jap më së shumti kontribut për qytetarin, aty do të jem”, ka theksuar ajo pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, i cili votoi unanimisht marrëveshjen me LVV-në.

Sipas Osmanit, nuk janë të rëndësishëm emrat, aq sa është e rëndësishme puna, e cila do të bëhet me ardhjen e qeverisë së re. “Shpresoj që nesër ta kemi votimin e qeverisë dhe realizimin e planit qeverisës, që e kemi hartuar bashkë me LVV-në, sepse nuk janë aq me rëndësi emrat, aq sa do të jetë puna, të cilën do ta bëjmë”, ka theksuar Osmani.

Lidhur me marrëveshjen është deklaruar edhe nënkryetari tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se “Koalicioni i shpresës” tashmë është bërë një realitet për qytetarët e Kosovës. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që pas një procesi jo të lehtë LDK-ja tashmë ka arritur marrëveshjen finale me LVV-në. Është shumë e rëndësishme që LDK-ja i ka ruajtur parimet dhe konsistencën në qëndrime. ‘Koalicioni i shpresës’ u bë realitet. Na presin punë të mëdha për Kosovën, për njerëzit e saj”, ka deklaruar Haziri.

Lidhur me marrëveshjen është deklaruar edhe deputetja e LVV-së Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se të hënën vendi do të bëhet me qeverinë e re, e cila do të sjellë ndryshime.

“Nesër Kosova dhe qytetarët e saj do ta kenë qeverinë e re, e cila do të drejtohet nga Albin Kurti dhe që do të jetë në shërbim të plotë të vendit, të qytetarëve dhe të reformave në qeverisje, në ekonomi, në drejtësi, në arsim e në shëndetësi”, ka deklaruar ajo.

Prej të hënës, siç ajo është shprehur, fillon kapitulli i ri për qytetarët dhe për Republikën e Kosovës. Ndaj ajo siguroi qytetarët se qeveria e re do t’i realizojë premtimet e dhëna. “Pavarësisht sfidave që kemi para vetes, vullneti, synimet e mira e të ndershme do t’i jetësojnë zotimet tona”, theksoi Haxhiu.

Krerët shtetërorë të Shqipërisë përshëndesin LVV-në e LDK-në për marrëveshjen

Arritjen e marrëveshjes për formimin e koalicionit qeverisës mes LVV-së dhe LDK-së e kanë mirëpritur liderët institucionalë të Shqipërisë.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka thënë se një qeveri e qëndrueshme është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë. “Një qeverisje e qëndrueshme është në interes jo vetëm të Kosovës, por edhe të të gjithë rajonit. Qeverisë së Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, i uroj suksese dhe arritje sa më të mëdha në të mirë të Kosovës në sfidat që e presin”, ka deklaruar Meta.

Qeverisë së ardhshme suksese i ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Suksese LVV-së e LDK-së në formimin e qeverisë së re dhe në qeverisjen e Kosovës! Uroj të kemi një bashkëpunim sa më të dobishëm për shqiptarët këtej e andej kufirit dhe pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë”, ka theksuar Rama.

Lidhur me këtë është deklaruar edhe kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, i cili e ka konsideruar akt pjekurie marrëveshjen për koalicionin qeverisës. “Marrëveshja e sotme është një plotësim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Ajo është një akt ndershmërie dhe pjekurie politike e një vizioni të qartë të drejtuesve të LVV-së dhe të LDK-së. Kjo marrëveshje është përgjigje konkrete e vullnetit për ndryshim e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, gjersa ka folur për arritjen e marrëveshjes LVV – LDK, kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Hardinaj, ka thënë se vendin e presin shumë punë. Me qeverisjen e re, sipas tij, veçse do të dalë në pah mashtrimi i bërë nga ana e kreut të LVV-së. “Kosovën e presin punë të mëdha dhe procese të rëndësishme, për të cilat duhet lidership, qëndrime konsistente dhe institucione të besueshme dhe të qëndrueshme. Qëndroj i bindur se agonia e tejzgjatjes për ndarje të posteve është vetëm shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh, me të cilin do të identifikohet Albin Kurti si kryeministër”, ka theksuar Haradinaj.

Rreth kësaj është deklaruar edhe lideri i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, i cili ka thënë se Kosovën e presin sfida të shumta, me të cilat do të ballafaqohet qeveria e re. “Përgëzoj LVV-në dhe LDK-në për punën e tyre të palodhur derisa arritën konsensus për të qeverisur Kosovën së bashku për mandatin e tyre të ardhshëm. Kosovën e presin shumë punë dhe sfida”, është shprehur Pacolli.


Të ngjashme