Escobar: Kosova dhe Serbia të zotohen se nuk do të ketë dhunë

Prishtinë | 26 Gus 2022 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi këtë javë, është për të mbështetur përpjekjet e Bashkimit Evropian në gjetjen e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Ambasadën amerikane në Beograd.

Escobar ka thënë se dëshiron që të dyja palët të zotohen se nuk do të ketë dhunë.

“Dialogu nuk është klinikisht i vdekur, unë nuk jam pjesë e dialogut, Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që deri në fund të muajit ne do të gjejmë rrugë për të vazhduar. Në të njëjtën kohë, dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit”, ka thënë ai.

“Ne u kemi thënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë se ne presim që çështja e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese të jetë në agjendën e takimit të radhës, ne nuk presim që të arrihet marrëveshje atëherë, mirëpo natyrisht që presim të jetë në agjendë”.

Escobar dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak kanë vizituar këtë javë Kosovën dhe Serbinë, me qëllim të shmangies së tensioneve mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, por takimi nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.

Takimet e tyre janë mbajtur pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës më 31 korrik, meqë serbët lokalë kanë vënë barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe. 

Të ngjashme