Eurodeputetë gjermanë kërkojnë hetim të pavarur ndaj dëbimit të Harun Çelikut në Turqi

Prishtinë | 06 Jan 2020 | 08:15 | Nga Ekonomia Online

Pas raportimeve se shtetasi turk Harun Çelik, 42 vjeç, me profesion mësues, është dëbuar në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria, ka reaguar edhe një tjetër eurodeputete. Pas reagimit të Ramona Strugariut është Rebecca Harms, e dyta eurodeputete gjermane që dënon rrëmbimin e që kërkon hetim të pavarur e të plotë të kësaj ngjarjeje.

“Kërkohet urgjentisht një hetim i pavarur i këtij rasti dhe i rasteve të ngjashme të rrëmbimeve të shtetasve turq jashtë vendit”, shkruan ajo në një shënim të bërë në llogarinë e saj në Twitter. Ndërkohë që më herët ishte dënuar ashpër dëbimi i mësuesit turk edhe nga një organizatë e të drejtave të njeriut, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Rrëmbimi i paligjshëm i shtetasit turk Çelik nga Qeveria Rama shkel të drejtat e njeriut dhe shkel ligjin shqiptar dhe atë ndërkombëtar, përfshirë konventat e Këshillit të Evropës”, theksonte Initiative of Human Rights and Freedom (Nisma për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut) në Marburg të Gjermanisë.

Shqipëria në fillim të këtij viti i është bashkuar Kosovës dhe një numri të vogël shtetesh duke mos i rezistuar presionit të presidentit të Turqisë, Recep Taip Erdogan, për të dërguar në Turqi për përndjekje penale çdo person të lidhur me lëvizjen globale “Gulen”, të cilën ai e akuzon si organizatore të grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Të ngjashme