Eurodeputetët i kërkojnë Merkelit liberalizimin e vizave për Kosovën brenda vitit 2020

Prishtinë | 27 Qer 2020 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Ish- sekretari i Ministrisë së Integrimit Evropian, Demush Shasha përmes një postimi në Facebook ka njoftuar për një letër që 33 anëtarë të Parlamentit Evropian i kanë shkruar kancelares gjermane, Angela Merkel, duke i kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën brenda vitit 2020.

“Dje, 33 anëtarët e Parlamentit Evropian nga 4 grupe më të mëdha parlamentare të Parlamentit Evropian i kanë shkruar Kancelares Merkel dhe Ministrit të Brendshëm të Gjermanisë z. Seehofer që të sigurojnë se vendimmarrja për liberalizim të vizave për Kosovën të përfundohet brenda vitit 2020 në kuadër të Presidencës Gjermane”, ka shkruar Shasha në Facebook.

Sipas tij, këto 6 muaj të mbetur të këtij viti, spektri politik në Kosovë duhet të tregojë vullnet dhe përgjegjësi politike për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve.

“Për 4 ditë do hapet dritarja më e mirë gjashtë mujore për të siguruat liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës, qysh nga viti 2016. Në veçanti në këto gjashtë muaj, spektri politik në Kosovë duhet të tregojë vullnetin dhe përgjegjësinë politike për të siguruar përfundimin e izolimit të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar tutje Shasha.

Sipas tij, në rast se humbet mundësia e liberalizimit të vizave për Kosovën në këto 6 muajt të ardhshëm të presidencës gjermane, ky proces mund të hyjë në një stad të paparashikueshëm.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë, ku qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shëngen.

Të ngjashme