Familjarët e personave të zhdukur të zhgënjyer me shtetin

Prishtinë | 16 Dhj 2017 | 09:06 | Nga

Edhe 18 vjet pas përfundimit të luftës në vend mbi 1600 kosovarë ende figurojnë në listën e të pagjeturve. Institucionet e Kosovës, sipas familjarëve, kanë qëndruar neglizhentë ndaj zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre.

Të pakënaqur me angazhimin e përfaqësuesve shtetërorë familjarët e të pagjeturve kanë vendosur që më 31 dhjetor të këtij viti të bëjnë homazhe në varreza nëpër komunat e tyre, ku janë varrosur trupat e shqiptarëve që janë identifikuar në varrezat në Serbi dhe jo sikurse kanë bërë për çdo vit duke ardhur dhe duke protestuar para Qeverisë.

Nystrete Kumnova, nga shoqata “Thirrjet e nënave”, ka thënë se në muajin mars të vitit të ardhshëm bëhen 19 vjet që nga kidnapimi i familjarëve dhe nuk është bërë asgjë në identifikimin e fatit të tyre. “Tryeza po mbahen, tryeza të kota, tryeza të thata”, ka thënë ajo, shkruan Gazeta Zëri.

Kumnova ka thënë se kanë pritur nga shteti i Kosovës që të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të pagjeturve. “Dhe te ndërkombëtarët kemi pasur shumë shpresa se ata do të punojnë shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por edhe ata e kanë neglizhuar”. Kumnova thotë se po kërkohet të zbardhet fati i të pagjeturve, por askush deri më sot seriozisht nuk e ka marrë këtë çështje. “Serbia i ka arkivat, por nuk po i bëhet presion që të hapen këto arkiva”.

Familjarët kërkojnë të dënohen kriminelët

Kumnova tha se më 31 dhjetor do të mbajnë aktivitete për të pagjeturit.

“Nuk do të vijmë në Prishtinë sepse nuk do të dimë kujt t’i drejtohemi. Është dhe një vërejtje institucioneve, për të mos udhëtuar familjarët deri në Prishtinë do të mbajmë në Gjakovë dhe do të shkojmë te varrezat të bëjmë homazhe dhe apelin do ta drejtojmë nga atje”.

Kumnova kritikon presidentin Hashim Thaçi që po ofron pajtim me Serbinë. “Pa u zbardhur fati edhe i 1600 shqiptarëve, pa dalë kriminelët para drejtësisë, pa u treguar e vërteta, kjo është plus një brengë që na ka nxirë shpirtin. Ai duhet si president i shtetit të Serbisë t’i kthejë njerëzit, t’i qesë njerëzit para drejtësisë, është e kundërta flet për pajtimin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme