Fati i Asociacionit, i varur nga qasja e fazës finale të dialogut

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 08:16 | Nga Ekonomia Online

Luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, finalizimi i procesit të negociatave Kosovë – Serbi, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe e termocentrali “Kosova e Re” po konsiderohen vetëm disa prej sfidave kryesore me të cilat do të ballafaqohet qeveria e re, e udhëhequr nga kryeministri i ri Albin Kurti. Sa i përket dialogut, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri i ka bërë thirrje qeverisë “Kurti” të jetë syçelë dhe të mos bjerë pre e lojërave të rrezikshme me kufij, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Në vitin 2015 pala kosovare dhe ajo serbe nënshkruan Marrëveshjen për Formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Gjersa ka folur rreth kësaj Edita Tahiri ka thënë se zbatimi i kësaj marrëveshjeje dhe të disa marrëveshjeve të tjera, të arritura mes palës kosovare dhe asaj serbe, do të varet krejt prej qasjes që do ta përshkojë fazën finale të procesit të negociatave. “Kanë mbetur disa marrëveshje të pazbatuara, ku përfshihet Asociacioni, Energjia e disa të tjera. Mendoj se zbatimi i këtyre marrëveshjeve do të varet nga qasja që do të ndiqet në fazën finale të dialogut. Aty besoj vendoset çfarë të bëhet me marrëveshjet e pazbatuara”, ka deklaruar ajo.

Ndonëse LVV-ja në vazhdimësi ka paralajmëruar rishikim të marrëveshjeve të arritura deri më tash, Tahiri ka thënë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel janë në pajtim me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Marrëveshjen për Asociacionin, e cila nuk lejon kompetenca ekzekutive.

“Ka një perceptim të gabueshëm se gjoja asnjë marrëveshje nuk është zbatuar deri më tani. E them me përgjegjësi se shumica e marrëveshjeve janë zbatuar, duke mundësuar shuarjen e shumicës së strukturave paralele serbe dhe shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të Kosovës”, ka shtuar Tahiri.

Por Lista Serbe në vazhdimësi ka kërkuar Asociacion me kompetenca ekzekutive. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, disa herë ka thënë se Serbia dhe serbët e veriut nuk do të pranojnë asgjë më pak sesa një asociacion me të tilla kompetenca.

Të ngjashme