Fatmir Matoshi zgjedhet kryetar i Kuvendit të AKR-së

Prishtinë | 17 Mar 2017 | 11:40 | Nga

Fatmir Matoshi aktualisht kryetar i degës së AKR-së në Kamenicë, në mënyrë unanime është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Aleancës Kosova e Re në mbledhjen konstituive të partisë.

 Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se kjo e fundit ka një përfaqësim kualitativ nga të gjitha degët.

“Kosova sot po ballafaqohet me një situatë aspak stabile në aspektin politik dhe shumë regresive në aspektin ekonomik, neve na presin detyra të rëndësishme që ta ndryshojmë këtë gjendje, AKR sot paraqet shpresën e qytetarëve për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht, pa korrupsion  dhe me një perspektivë të qartë për rininë e vendit. Ne do të fillojmë menjëherë përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe jemi po ashtu të gatshëm edhe për zgjedhjet nacionale, kurdo që ato mbahen” tha presidenti Pacolli.

Kryetari i Kuvendit Fatmir Matoshi, pasi ka falënderuar Presidentin dhe Kuvendin për besimin e dhënë ka vlerësuar se ky është viti i AKR-së dhe se të gjitha strukturat do të punojnë pa ndërprerë për ta rikthyer AKR-në fuqishëm në skenën politike dhe për t’i dhënë një rast zhvillimi vendit, duke fituar besimin qytetar për ta udhëhequr qeverinë e ardhshme të Kosovës. “Kjo është kauza jonë, Kosova duhet t`i bashkohet familjes së vendeve të zhvilluara demokratike ku sundon rendi e ligji dhe jo anarkia e korrupsioni. Në këtë kontekst, Kuvendi i AKR-së do të jetë në nivel të detyrave dhe përgjegjësive që ka për ta ndihmuar partinë drejt synimit tonë për fitore” ka thënë ai.

Matoshi më pas i ka emëruar edhe dy ndihmës kryetarët e Kuvendit: Nasuf Aliun dhe Besnik Berishën, ndërsa sekretare e Kuvendit është zgjedhur Mimoza Muja.

Kuvendi i AKR-së ka miratuar disa ndryshime në statut sipas autorizimeve të Kongresit si dhe ka zgjedhur komisionin statutar që do të udhëhiqet nga Korab Sejdiu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme