Fatmir Rexhepi flet pasi LDK-ja e largoi nga lista

Prishtinë | 23 Maj 2017 | 17:34 | Nga

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi e ka cilësuar si një lëshim politik dhe të padrejtë lënien jashtë listës së kandidatëve për deputet.

Në një prononcim për lajmi.net, ai ka thënë se i ka mbrojtur qëndrimet e elektoratit dhe deri te lënia jashtë ka ardhur pasi ka pasur një opinion dhe qëndrim ndryshe.

“Është një lëshim i madh politik, një e padrejtë e madhe. Por vullneti im ka qenë në kontratë me elektoratin për vendimet që i kemi marrë në Parlament për të gjitha çështjet deri sot. Kundërshtimet te dikush ka krijuar një opinion ma ndryshe qëndrime ma ndryshe. Por besoj se të gjithë deputetët që kanë qenë mandatin e kaluar është dashur të jenë në listë dhe të mos ketë selektime, dhe as unë s’kam mundur të pajtohem që kolegët e mi të mos jenë aty”, ka thënë Rexhepi.

Ai nuk e ka mohuar se lënia jashtë e tij nga lista e LDK-së mund të ketë ndikuar edhe qëndrimi i tij negativ për votimin e Demarkacionit.

“Po të gjitha mund të jenë të mundshme”, tha ish-deputeti për lajmi.net

I pyetur se a do të vazhdojë të jetë pjesë e LDK-së, ai ka pohuar se mos-kandidimi i tij nuk do ta largojë nga partia.

“Patjetër që do të jem pjesë e LDK-së. Qe 7 vite kam marr besim të elektoratit dhe nuk mendoj ndryshe, pavarësisht se në këtë moment e kanë marr një qëndrim të tillë, por ai ka qenë vendim i gabuar”, përfundoi Fatmir Rexhepi.

Jashtë listës së LDK-së ka mbetur edhe Shpejtim Bulliqi, deputeti më i zëshëm kundër Demarkacionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme