Faton Peci: Vjosa Osmani tha se është “sherifja e re”, jo në kuptimin pezhorativ

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Faton Peci – shef i kabinetit të kryeparlamentares Vjosa Osmani, ka thënë se deklarimi i sotëm i Osmanit se ajo është “sherifja e re në qytet”, nuk duhet të interpretohet në kuptimin pezhorativ.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka shtuar se Osmani me këtë shprehje angleze ka dashur të thotë se tani është një autoritet i ri përgjegjës në Kuvend.

“Shprehja në gjuhën angleze të cilës iu referua Vjosa Osmani nuk duhet të interpretohet në kuptimin pezhorativ”.

“Përkundrazi në botën demokratike përdoret si për shembull me marrjen e mandatit nga Presidenti amerikan Barack Obama, ka qenë një mbishkrim ‘there is a new sherif in town’ – kjo nuk duhet të nënkuptohet në aspektin e urdhrit”.

Faton Peci ka thënë se përkundër asaj që sot ka pasur një mosmarrëveshje në Kuvend, deputeti Kujtim Shala dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, do të vazhdojnë të kenë raporte të mira mes vete.

“Në shprehjen ‘there is a new sherif in town’ – nuk shoh asgjë të keqe – është një autoritet i ri që është përgjegjës. Dridhje mund të ketë në proces të reformave brenda një institucioni”.

“Osmani nuk e ka shkelur asnjë pikë të rregullores. Pretendimi i disa deputetëve se Osmani është përgjegjëse për mbarëvajtjen e seancave nuk e privon atë prej të drejtës që të japë vlerësim varësisht prej situatës”.

“Ajo nuk ndërhyn në diskutimin e secilit dhe nuk e komenton secilin deputet. Përderisa ajo e ka përgjegjësinë dhe detyrimin kushtetues që të kujdeset për mbarëvajtjen e Kuvendit, ajo është autoriteti përfundimtar”.

“Kur ajo vlerëson se kemi ikje nga pika e rendit të ditës ose që është duke u përdorur gjuhë joparlamentare, ajo e ka të drejtën që t’ua ndërpresë fjalën deputetëve”.

Të ngjashme