“Ferati-VV-numri 10 përbëjnë treshen fituese në Mitrovicë”

Mitrovicë | 28 Sht 2017 | 18:35 | Nga

Deputeti Albin Kurti e ka hapur tubimin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje! në Mitrovicë, duke thënë se komuna është komunë e mirëqenies.

“Ajo investon në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore të cilat qytetarët ia sjellin rrymën, ujin, transportin, shkollën, ambulancën, bibliotekën, parkun, rrugën, trotuarin, këndin e lojërave e fushën e sportit”, ka thënë Kurti gjatë këtij tubimi.

Ai më tej tha se komuna nuk është vetëm administratë e as vetëm përfaqësim, e as vetëm ndertesa e tatime. Ai tha se ajo është e tërë: politikë, qytetari, ekonomia, shërbimet dhe publikja.

“Fehmi Ferati, Vetëvendosje! dhe numri 10 përbëjnë treshen fituese”, tha po ashtu Albin Kurti, duke u shprehur i bindur se pas 22 tetorit VV do të qeverisë me Mitrovicën.

Kurti tha se Ferati është kandidati më i mirë për Mitrovicën, duke përmendur edhe aktivitetin e tij ndër vite.

Vlora Haxhimehmedi fton gratë dhe vajzat që të mobilizohen për ndryshimin e madh në Mitrovicë

Kandidatja për Kuvendin Komunal të Mitrovicës nga VV dhe Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Vlora Haxhimehmedi, në tubimin e mbajtur sot ka thënë se udhëheqja e tre drejtorive nga VV gjatë qeverisjes së fundit komunale, e ka dëshmuar se ndryshimi është i mundur.

“Këtë Lëvizja Vetëvendosje! e ka dëshmuar përmes presionit për realizimin e shpërndarjes së shujtave për nxënësit e shkollave fillore të Mitrovicës,

përmes trasnparencës në ndarjen e subvencioneve. Përmes mbrojtes nga privatizime të padrejta si ai që u përpoqën t’i bënin pallatit të sportit ‘Fatime Xhaka’. Përmes përmirësimit të shërbimit shëndetësor dhe hapjes dhe shpeshtimit të vizitave shëndetësore. Me mbështetjen e shtuar për shoqërinë civile dhe klubet sportive, por edhe përmes aktiviteteve të shtuara arsimore si “Mitrovica Lexon” dhe me 50 aktivitete të reja kulturore që ushqejnë shpirtin artdashës të qytetit tonë”, tha Vlora Haxhimehmedi.

Megjithatë, ajo këtë e ka quajtur ndryshim të vogël, ndaj bëri thirrje për mbështetje të VV’së, që kjo e fundit ta udhëheq komunën, duke kujtuat se në zgjedhjet e fundit VV doli partia e parë në Mitrovicë.

“Më 22 tetor, me numrin 10, Mitrovica do sjellë ndryshimin e shumëpritur, ndryshimin e vërtetë! Këtë ndryshim e presin më së shumti ata që sot vuajnë në Mitrovicë nga varfëria. Mitrovica është një prej komunave me nivelin më të lartë të pabarazisë në të gjithë vendin dhe me gjendje tepër të rënduar ekonomike. Mitrovica është sot një komunë e copëtuar, të cilës po përpiqen t’i heqin edhe më shumë territor, Keshtu strukturat parale të Serbisë po përpiqen të marrin nën kontroll edhe Suhodollin, Gushafcin, Vidishiqin, Vidimriqin e Vinarcin.

Më 22 tetor kjo përpjekje e tyre grabitqare do të ndalet një herë e mirë nga fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje!”, tha po ashtu Haxhimehmedi.

E thirrje të veçantë, ajo pati për gratë e vajzat e Mitrovicës duke i ftuar në angazhim e mobilizim, për të sjellë ndryshimin që garanton barazi për të gjithë. Në fund ajo tha se fitorja dhe ndryshimi vijnë vetëm më përfshirjen e grave dhe vajzave.

Ymeri : Është koha për zhvillim e progres në Mitrovicë, është koha për VV-në dhe Fehmi Feratin

Image may contain: 1 person, night

Në tubimin e mbajtur të Lëvizjes Vetëvendosje! në Mitrovicë, kryetari i kësaj partie ka kritikuar pushtetarët për ndarjen që i kanë bërë këtij qyteti dhe për shkatërrimin e vazhdueshëm të Trepçës.

“Trepçën po ua shkatërrojnë, pasurinë ua vodhën, uzurpuan, shitën e privatizuan, vendet e punës ua morën, lumin Ibër e shndërruan në vijë ndarëse, e urën përmbi të në vijë kontrabande, vijë që lidh krimin e organizuar – Veselinoviqi në veri e Veseli në jug. Por ju nuk u dorëzuat. Në këmbë po qëndroni. Gradualisht, por sigurtë, po ua ktheni. Ia kthyet më 11 qershor. Ua shkundët dritat koalicioneve të territ. Tash do t’ua ktheni edhe më 22 tetor”, tha Ymeri para mitrovicasve.

Ai më tej ka thënë se komuna e qytetarëve është solidare dhe se çdo fshat dhe çdo lagje qyteti i ka nevojat dhe specifikat e veta, por se çështjet lokale janë në të vërtetë edhe çështje qendrore. E për këtë ai tha se trajtimi i tyre si pjesëza të ndara nga tërësia, i zgjidh ato pjesshëm në rastin më të mirë ose zakonisht i lë të pazgjidhura dhe e përkeqëson gjendjen.

“Rrjeti i rrugëve, rrjeti i kanalizimit, rrjeti i ujësjellësit, rezervuarët e ujit, sistemi i ujitjes, planifikimi hapësinor, ruajtja e tokës bujqësore, zhvillimi i bujqësisë, mbrojtja e mjedisit, kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, shfrytëzimi efiçient i energjisë, transporti, ndërveprimi ekonomik, ai tregtar, industria e punësimi, nuk mund të zgjidhen në vetëm një qytet, një fshat, apo një Komunë. Këto nuk zgjidhen duke u ndarë. Ato do të zgjidhen duke u bashkuar“, tha po ashtu Ymeri.

Kryetari i VV-së ka folur edhe mbi rëndësinë e investimit në infrastrukturën fizike, arsimore, shëndetësore, prodhuese, energjetike, mjedisore dhe rekreative, si parakusht i mirëqenies dhe zhvillimit. Kurse ka thënë se nuk ka mirëqenie e nuk mund të jemi mirë, kur hapësirat publike zvogëlohen nga uzurpimi, e ajri e uji, trotuaret e rrugët na ndoten nga mospastrimi.

“Janë dy komponente kryesore me të cilen matet gjendje e një vendi. Zhvillimi dhe liria. Të dyja këto shkojnë bashkë, njëra pa tjetren nuk bën.Liria është parakush i zhvillimit. Këtë na e tregon Mitrovica: Pa bashkim të qytetit minierat i kemi të ndara, edhe shkritorja është uzurpuar prej strukturave të Serbisë. Trepça dikur i ka punësuar mbi 24 mijë punëtorë, kurse sot është qyteti me përqindjen më të lartë të papunësisë. Por, edhe e kundërta vlen, pa zhvillim, liria është liri negative, liri për arratisje, për ta marrë botën në sy: Mitrovicës me 56% papunësi, e me numrin më të madh të qytetarëve nën asistencë sociale, më së shumti i është zvogëluar numri i banorëve. Ikjet masive që po ndodhin në nivel vendi viteve të fundit, në Mitrovicë janë fenomen i rregullt“, tha ndër të tjera Visar Ymeri.

Duke potencuar se tokat bujqësore rrijnë djerrë të papunuara, se industria po punon për interesa të kompanive të huaja e serbe, e jo per përfitim të qytetarëve tanë, emigrimin e rinisë e varfërinë në rritje, Ymeri iu ka bërë thirrje qytetarëve të Mitrovicës për ndryshim. Ai ka thënë se është koha që Mitrovica të zhvillohet, të ketë shërbime të mira shëndetësore e arsim cilësor, si dhe zhvillim të bujqësisë.

“Është koha e juaj. Koha jonë. Koha e Fehmi Feratit Koha e Asambleistëve të VETËVENDOSJE !-s Mitrovicës bashkë ia kemi dhënë zemrën. Për Mitrovicën bashkë i kemi thirrur mendjes. Jemi mbledhur rreth numrit 10, dhjetëfish më shumë se të tjerët. Jepja 10-she Mitrovicës. Jepja Fehmi Feratin Mitrovicës! Jepja VETËVENDOSJE !-në Mitrovicës! Që t’ia kthejmë Mitrovicën qytetarëve“, ishte porosia e Ymerit për mitrovicasit.

Fehmi Ferati: Zotohem me mendje dhe betohem me zemër për Mitrovicën

Në fjalimin e mbajtur para mitrovicasve gjatë tubimit të VV’së në Mitrovicë, kandidati për kryetar, Fehmi Ferati, ka thnë se ai dhe VV e kanë ballin hapur që të iu dalin përpara qytetarëve të kësaj komune. Kurse, për kundërshtarët e tij tha se ata edhe fushatën e kanë investim e biznes, kurse premtimet e tyre tha se nuk janë mbajtur asnjëherë.

“Ne e kemi ngjyrën e kuqe në simbolin tonë e këta as nuk kanë vija të kuqe e as nuk skuqen kur flasin. Po i pyete se si kanë qeverisur deri sot, tani të tregojnë vetë me sloganet që i kanë në fushatë: njëri thotë kemi funksionu veç me lidhje e tjetri të thotë kemi funksionu veç me forcë, kurse tjetri nuk di as me tregu, veç diqysh si me tugjarllëk herë në tabut e herë jashtë tabutit”, ka thënë Ferati, duke ironizuar me kundërkandidatët.

Ferati ka përmendur shumë premtime të pambajtura nga qeverisjet e kaluara, duke përmendur në anën tjetër problemet më të cilat ballafaqohen përditë mitrovicasit. Ai tha se që 17 vite varfëria, pabarazia dhe diskriminimi vazhdojnë të jenë aktuale në shkallë alarmante në këtë qytet.

“Vetëvendosje! në Mitrovicë ka programin e saj që dëgjon qytetarin. Dhe në zotimet tona as nuk frikësohemi e as nuk korruptohemi. Ne jemi që nxënësit e shkollës fillore të jenë të gjithë të barabartë, duke filluar nga klasa e parë e bashkë edhe mesimdhënësit. Ne jemi që drejtorët e shkollave, por dhe mësimdhënësit të zgjedhen me komision edhe nga prindërit. Ne jemi për depolitizim të arsimit”, ka thënë ndër të tjera Ferati, duke bërë thirrje që me 22 tetor të votohet numri 10.

“Unë Fehmi Ferati, i biri i minatorit, zotohem me mendje dhe betohem me zemër për Mitrovicën”, tha në fund të fjalës së tij, Fehmi Ferati.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme