Fermerët protestojnë para Qeverisë, Haradinaj u premton zgjidhje

Prishtinë | 19 Qer 2019 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me një grup fermerësh protestues nga Komuna e Ferizajt, të cilët shprehën shqetësimin e tyre për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e vendit do të ndërmarrë hapa konkretë në krijimin e një sistemi për kompensimin e dëmeve si një nismë e iniciuar në ekzekutiv vitin e kaluar dhe që nuk është trajtuar asnjëherë më parë.

Kryeministri Haradinaj tha se nuk i ka harruar ata, por që ka pas një radhë sipas dëmeve që kanë qenë më të mëdha, si në Komunën e Rahovecit, Suharekës, Mamushës, Shtimes, Ferizajt dhe disa dëme që janë shkaktuar në Komunën e Istogut dhe që vazhdojnë të përsëriten.

“Qeveria e Kosovës është duke punuar për krijimin e një fondi të përhershëm për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe për aktivizimin e sistemeve mbrojtëse”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej kryeministri Haradinaj tha se do të shqyrtohen kërkesat e tyre legjitime në Qeveri, pasi që këtë shqetësim e kanë ngritur edhe përfaqësuesit politikë të asaj komune. 

Fermerët protestues e falënderuan kryeministrin Haradinaj për gatishmërinë që të dëgjoi shqetësimet dhe kërkesat e tyre dhe kërkuan që ato të shqyrtohen sa më parë që është e mundur.

Të ngjashme