Dita e heshtjes

Prishtinë | 10 Qer 2017 | 00:05 | Nga

Pas dhjetë ditë fushate për zgjedhjet për Kuvend të Kosovës, sonte në mesnatë ka filluar heshtja zgjedhore.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës përcakton që heshtja zgjedhore fillon një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Gjatë kësaj kohe, ndalohet çdo organizim apo thirrje publike, për çdo subjekt politik dhe kandidat politik, po ashtu janë të ndaluara edhe të gjitha llojet e marketingut zgjedhor.

Vendvotimet hapen të dielën në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00.

Ligji NR. 03/L-073 për zgjedhje, po ashtu, përcakton ndalimin e përfshirjes në media, gjatë heshtjes zgjedhore.

Në pikat 1 dhe 2 të nenit 52, thuhet: “52.1 Asnjë person ose medium nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës gjatë periudhës që fillon njëzetekatër (24) orë para hapjes së vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve; 52.2 Në Kosovë nuk bëhet asnjë publikim ose transmetim i rezultateve të hulumtimit të opinionit publik që ka të bëjë me fushatën e zgjedhjeve, duke përshirë daljen në votime, gjatë periudhës që fillon 24 orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor”.

Në këto zgjedhje marrin pjesë pesë koalicione; 19 parti politike dhe dy nisma qytetare. Ndërkaq, janë 971 kandidatë për deputetë.

Lista përfundimtare e Votuesve për Zgjedhjet e 11 qershorit përmban 1 872 941 votues. Nga ta, 155 202 janë votues të rinj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme