Fillon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga diaspora, refuzohen 1 mijë e 212 sosh

Prishtinë | 01 Nën 2019 | 17:40 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura nga diaspora, raporton EkonomiaOnline.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se do të numërohen vetëm ato zarfe të supozuara me vendvotime.

Sipas tij procesi i numërimit të këtyre fletëvotimeve do të përfundojë brenda pak orësh.

“Pas vendimit të Gjykatës Supreme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me procedimin konform vendimit të kësaj gjykate. Fillimisht, meqenëse bëhet fjalë për fletëvotime nga jashtë vendit, kemi filluar me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime. Procesi i vlerësimit është i domosdoshëm pasi vetëm në këtë mënyrë ne arrijmë të vërtetojmë nëse pakoja me fletëvotim është dërguar nga personi i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit. Gjithashtu, në këtë proces ne arrijmë të dimë nëse brenda një dërgese ka më shumë se një pako me fletëvotime”, tha ai.

Elezi tha se pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212 fletëvotime.

“Pra, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar  4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212”, tha ai.

Zëdhënësi i KQZ-së, ka thënë se rezultati përfundimtar do të shpallet kur të marrin konfirmimin nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve pasi të marrim konfirmimet nga dy institucione: Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme, se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim”, tha ai.

Vendimin për numërimin e një pjese të fletëvotimeve nga diaspora, e për të cilat u konsiderua se kanë ardhur jashtë afatit ligjor, e mori Gjykata Supreme, pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Të ngjashme