Filluan punimet në ndërtimin e qarkores së Gjakovës, investohen 8 milionë euro

Gjakovë | 16 Nën 2018 | 15:38 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Gjakovë filluan punimet në qarkoren e qytetit, ku morën pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, dhe zyrtarë të tjerë institucionalë.

Ky projekt është financim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe faza e parë e projektit ka kosto afro dy 2.2 milionë euro, ndërsa do të realizohet në afat kohor prej 180 ditë pune. I tërë projekti kap vlerën mbi 8 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se që nga viti 1984 Gjakova nuk ka pasur investim më të madh se ky, raporton Ekonomia Online.

“Gjakova ka ekonomi, territor, ka edhe shumë plagë dhe dhimbje. Kosova duhet të investojë në projekte të mëdha në Gjakovë, pasi që nga viti ‘84 s’ka pasë investime kaq të mëdha. Nëse ky projekt kap shifrën 8 milionë, tjetri projekt kap shifrën 57 milionë euro”.

Haradinaj theksoi se duhet të rregullohet infrastruktura e Gjakovës.

“Duhet që një ditë edhe Zona e Dukagjinit ta gëzojë të drejtën e saj, duhet një autorrugë për Dukagjin dhe kjo do të ndodhë. Gjakova ka universitetin e saj por nuk e ka infrastrukturën e duhur dhe kjo do rregullohet”.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se përveç këtij projekti, do të fillojë edhe një projekt më i madh në Komunën e Gjakovës, ai i autostradës Gjakovë-Dollc, i cili pritet ta kapë vlerën prej 57 milionë eurosh.

“Kjo është një nismë e madhe ku vlera e projektit është 8 milionë, pra 2 milionë këtë vit dhe 6 milionë vitin tjetër. Ata të cilët kanë mundësuar këtë projekt janë Qeveria e Kosoves. Brenda muajit do fillojmë autostradën Gjakovë – Dollc”.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se ky projekt është më i madhi që është kryer ndonjëherë në Kosovë. Ai falënderoi Qeverinë e Kosovën për nisjen e këtij projekti, raporton EO.

“Gjakova e ka pritë këtë investim tash e një kohë të gjatë. Ky është projekti më i madh që është nisur ndonjëherë në Komunën e Gjakovës dhe kjo falë kryeministrit. Falënderojmë Qeverinë e Kosovës si dhe Ministrinë e Infrastrukturës për këtë projekt. Shihemi në projektin e radhës që do jetë edhe më i madh se ky. Urime kjo rrugë dhe suksese të mëtutjeshme të gjithëve”.

Të ngjashme