Fjalimi i plotë i Albin Kurtit në tubimin e djeshëm

Prishtinë | 13 Qer 2020 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Dje për 15-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, ish-kryeministri Albin Kurti ka mbajtur fjalimin përmbyllës.

“15 vjet janë shumë në jetën e një njeriu, por 15 vjet janë pak për të gjithë këto të arritura të Lëvizjes tonë. Edhe 21 muaj nuk janë pak, ama 21 vjet janë tepër shumë për këtë gjendje në Kosovë me kaq shumë padrejtësi në jetë e politikë dhe me kaq shumë mjerim e stagnim në ekonomi”, kështu e nisi fjalën e tij i pari i VV-së.

Fjalimi i plotë:

15 vjet janë shumë në jetën e një njeriu, por 15 vjet janë pak për të gjithë këto të arritura të Lëvizjes tonë. Edhe 21 muaj nuk janë pak, ama 21 vjet janë tepër shumë për këtë gjendje në Kosovë me kaq shumë padrejtësi në jetë e politikë dhe me kaq shumë mjerim e stagnim në ekonomi.

Të nderuar qytetarë të Republikës,
Të dashur aktivistë të Lëvizjes,

Këta muaj që lamë pas ishin muaj të mungesës dhe të largësive. Munguam në shumë ditëlindje, në shumë festa e përgëzime, munguam edhe në diplomimin e fëmijëve, por munguam edhe në shumë ngushëllime. Është ky një vit aspak i zakontë, me një pandemi të paparë që nuk ka shkuar ende.

Dua të filloj me një falënderim për secilin prej jush që keni ardhur sot, në këtë ditë të rëndësishme për Kosovën dhe për shqiptarët, për të gjithë anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Dua t’ju falënderoj juve që jeni këtu në sheshin ‘Skënderbeu’, qytetarët që na përcjellin nga shtëpitë e tyre përmes ekraneve të ndryshme të teknologjisë dhe, padyshim, dua të falënderoj diasporën tonë e cila jeton jashtë shtetit, por me mendje e me zemër çdoherë është brenda vendit.

Dua të falënderoj edhe punonjësit shëndetësor të cilët kanë bërë dhe janë duke bërë punë heroike në kujdesin ndaj qytetarëve në këtë kohë të pandemisë, si dhe policët të cilët kanë mbi supe ruajtjen e rendit dhe ligjit, por edhe urdhërat e eprorëve të llojllojshëm. Ne jemi krenar me punën tuaj, ne jemi me ju, ju jeni me ne, sepse, jemi të bashkuar si kurrë më parë.

Para 21 viteve, më 12 qershor 1999, këmbësoria e NATO-s hyri në Kosovë duke shënuar kështu zyrtarisht fundin e luftës dhe çlirimin e Kosovës. Sot, ne kujtojmë dhe festojmë këtë liri që e fituam me gjakun e dëshmorëve tanë, betejat e UÇK-së dhe me sakrificën e gjeneratave të tëra. Por, sot kujtojmë edhe gjenocidin, vrasjen e zhdukjen e mbi 13 mijë civilëve, përdhunimet e mijërave vetave, masakrat e shumta dhe dëbimin masiv, djegien e shtëpive dhe pronave private si dhe dëmtimin e infrastrukturës e ndërmarrjeve publike që na gjymtuan mandej ekonominë.

Sot i jemi mirënjohës NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmën në kauzën tonë të drejtë për liri dhe vetëvendosje, dhe për ndihmën e vazhdueshme për ndërtimin e një shoqërie demokratike.

12 qershori është dita e çlirimit të Kosovës nga Serbia, por pas këtij çlirimi nga okupatori i jashtëm, pati filluar një sundim nga brenda. Njëherë përmes UNMIK-ut i cili nuk solli zhvillim demokratik e as progres ekonomik, e pastaj përmes një kaste të politikanëve të cilët në emër të çlirimit zhvatjen e pasurisë publike e filluan dhe varfërimin e popullit e shkaktuan.

Sot vërtetë jemi më të lirë, por edhe të varfër. Kemi shumë dëshira për të ardhmen, por edhe shumë ankth në të tashmen. Kemi një shtet në të cilin politikanët e pasuruar përmes korrupsionit bëjnë jetën e pasur në shtetin e varfër; kemi një sistem politik ku blihet dhe tregtohet vota e deputetëve; një sistem shëndetësor të rrënuar dhe një sistem gjyqësor ku blihet drejtësia dhe pastrohen kriminelët e të korruptuarit.

Prandaj sfida jonë, 21 vjet pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, mbetet çlirimi i Kosovës nga korrupsioni dhe kapësit e shtetit. Në këtë sfidë nuk na ndihmon dot askush. Kjo sfidë na takon neve – qytetarëve të bashkuar – që të ndërtojmë shoqërinë dhe shtetin që duam, duke zgjedhur përfaqësuesit tanë të drejtë e të ndershëm.

Përveç ditës së çlirimit, më 12 qershor, festojmë edhe ditën e themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Para 15 viteve, në ndërtesën në të cilën ishte vendosur administrata e UNMIK-ut dhe e cila ishte kthyer në një sundim pas çlirimit, ne shkruam parullën “Jo Negociata (por) VETËVENDOSJE!”. Ishte kjo parulla e kërkesës sonë të qartë politike për një shtet të pavarur dhe sovran; për një shtet që nuk negocion me Serbinë për çështje të brendshme, por që i kërkon Serbisë llogaritë për krimet e luftës, për borxhet, për dhunimet, për vrasjen e fëmijëve, për një shtet që vendos vetë për të ardhmen, për një shtet që vetëvendos përmes qytetarëve të tij.

Përgjatë këtyre 15 viteve, kemi pasur shumë pengesa dhe kemi kaluar shumë sfida, kemi marshuar qindra herë së bashku e përkrah njëri-tjetrit për atë që e besojmë se është e drejtë; për atë që e dimë se është e vërtetë, për atë që na takon si qytetarë, si popull e si komb.

Kanë rrahur e lënduar mijëra prej nesh, kanë burgosur e maltretuar qindra prej nesh dhe kanë vrarë disa prej nesh, sikurse Mon Balajn e Arben Xheladinin më 10 shkurt 2007, dhe Astrit Deharin që e mbytën në burg më 5 nëntor 2016. Moni e Arbeni e Astriti janë dëshmorët e popullit për liri, e kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm. Me këtë rast dua të përkujtoj edhe disa aktivistë të tjerë të rinj në moshë e që nuk janë në mesin tonë: Muhamet Koskoviku, Arben Arapi, Arbënor Dehari, Arlind Boshnjaku dhe Hysni Hyseni-Doda; e të përshëndes familjarët e tyre që ndodhen këtu në mesin tonë si dhe Zenel Zenelin e Mustafë Nerjovën që pësuan lëndime të rënda të përjetshme në demonstratë.

Kemi bërë rezistencë jashtë institucioneve dhe kemi bërë rezistencë brenda tyre, kundër atyre që pushtetin e përdorën dhe vazhdojnë ta përdorin për të shpërdoruar, për t’u pasuruar, për të ndarë e për të përçarë.

Kemi marshuar e protestuar kundër negociatave me Serbinë për çështje të brendshme tonat; kemi marshuar e protestuar kundër pakos së Ahtisarit që krijonte eksterritorialitet fetar për kishat ortodokse, decentralizim etnik që copëtonte komunat, nuk e bashkonte Mitrovicën, dhe krijonte një parlament me mundësi vetoje të një pakice për të bllokuar shumicën.

Në opozitë kemi marshuar e protestuar kundër padrejtësive, por edhe kemi adresuar problemet e korrupsionit e të krimit të organizuar, të shtetit të kapur e të varfërisë, të pabarazisë e të mungesës së zhvillimit ekonomik. Kemi bërë fushatë për të bojkotuar produktet Serbe e për të ndihmuar prodhuesit vendor. Në maj 2006, filluam fushatën Për bojkotimin e mallrave të Serbisë, në shtator 2009 filluam fushatën Blej shqip, kurse në shtator 2011 fushatën Duaje tënden.

Në këto 15 vite kemi ecur së bashku për shtet të pavarur, për shtet të së drejtës, për shtet social, për shtet zhvillimor, për afrim e integrim e bashkim me Shqipërinë, dhe, para së gjithash, për qytetarë që vetëvendosin. Nganjëherë jemi rritur më pak e nganjëherë jemi rritur më shumë, por kurrë nuk e kemi shikuar qytetarin si numër për të shtuar fuqinë apo si votë për të fituar pushtetin. Fitorja e lëvizjes është mirëqenia e qytetarit, prandaj lëvizja kurrë nuk fiton pa fituar qytetari, prandaj lëvizja kurrë nuk ndalet PËR qytetarin sepse qytetarët JANË lëvizja.

Sot jemi shumë, sot jemi shumë më shumë sepse sot jemi të gjithë bashkë si kurrë më parë, sepse sot e drejta dhe e gabuara janë të dukshme si asnjëherë tjetër. Jemi bashkë për shtetin e pavarur e sovran, jemi bashkë për gjykata të pavarura e gjykatës profesional, jemi bashkë për shtet të zhvillimit e të mirëqenies, jemi bashkë për zgjedhje të lira e të ndershme, jemi bashkë për të zgjedhur liderët që nuk na mashtrojnë dhe nuk na zhgënjejnë, jemi bashkë për të ardhmen e fëmijëve tanë, jemi bashkë për Mitrovicën e Trepçën e Ujmanin, jemi bashkë për një qeveri që punon për të gjithë, jemi bashkë për një shtet pa krim e pa korrupsion, jemi bashkë për të zgjedhur një President që na përfaqëson të gjithëve, që na nderon e na lartëson me punën dhe dinjitetin e tij, jemi bashkë për të mbrojtur të ardhmen e përbashkët që na pret e për republikën që e duam.

Shteti jonë, Kosova jonë e dashur është shtëpia jonë e përbashkët. Shteti duhet të punojë për secilin dhe për të gjithë njësoj; duhet të ofrojë mundësi të barabarta për t’u shkolluar e për t’u punësuar dhe të na mbrojë nga dëmet e jo të na bëjë dëm. Shteti nuk i takon një familje e as një individi, ai nuk mund të zaptohet e të privatizohet siç ka ndodhur në Kosovë, ku disa familje kanë kapur të gjitha institucionet e kanë vjelë gjithë pasurinë.

Shteti që duam ta kemi dhe të ardhmen që duam ta ndërtojmë tashmë i kemi zgjedhur së bashku. Më 6 tetor të vitit të kaluar ne u bëmë bashkë si kurrë më parë, të rinj e të moshuar për të bërë ndryshimin. Entuziazmin e 6 tetorit për ndryshim e kthyem në program qeverisës më 3 shkurt.

Më 6 tetor ndryshoi politika e më 3 shkurt ndryshoi qeveria. Ne kurrë më nuk do të kthehemi para 6 tetorit në politikën e vjetër të gënjeshtrave e gënjeshtarëve, por as në qeverinë e vjetër të krimit e korrupsionit.

Nuk do të kthehemi para 6 tetorit sepse për vetëm 100 ditë kemi parë se qeverisja e mirë është e mundur; kemi parë se luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar është i mundur; kemi parë se bordet publike mund të jenë pa familjarë e pa kushërinj; se një qeveri që kujdeset për më të varfërit është e mundur; se një qeveri që kursen paranë publike është e mundur, kemi parë se Kosova mund të bëhet shtet normal që punon për të gjithë, kemi parë se ndryshimi është i mundur dhe më nuk kthehemi prapa, por do të ecim përpara, shumë si shumica e shpejt si Lëvizja.

Për vetëm 100 ditë, e zvogëluam kabinetin qeveritar dhe ulëm pagat për qeveritarët sepse jemi vend i vogël dhe i varfër.

Menaxhuam me tri kriza dhe vendosëm një standard të ri në qeverisje. Gjatë pandemisë, kur rrezikohej jeta e të gjithë qytetarëve pa dallim, ne hartuam një pako fiskale e cila ndihmonte më së shumti ata të cilët fitonin më së paku. Menaxhimi jonë i suksesshëm i pandemisë e bëri Kosovën rrëfim suksesi në botë duke dëshmuar se qeverisja e mirë shpëton jetën e qytetarëve.

Në bordet e ndërmarrjeve publike të mbushura me familjarë që kishin vjelë gjithë pasurinë e tyre dhe po i dërgonin drejt falimentimit, ndërruam udhëheqësit e lartë dhe zgjodhëm profesionistë të ndershëm për t’i kthyer ato në rrugën duhur.

Qindra miliona euro u kursyen në kontrata të shpronësimit e asfaltimit të tokave bujqësore.
Anuluam pozita fiktive, kontrata të jashtëligjshme dhe kontrata për shërbime të cilat ishin shpikur për të rehatuar familjarë e partiakë në pozita shtetërore me paratë e qytetarëve.

Vetëm në 100 ditë ne treguam se nuk na mungon as dija dhe as përvoja, por nuk na mungon as vullneti e as guximi, për t’u përballur me mujsharët shpërdorues.

E vendosëm reciprocitetin si parim të barazisë ndaj Serbisë dhe e lartësuam emrin e Republikës. Maunet e Serbisë në Kosovë kalonin vetëm duke e njohur emrin “Republika e Kosovës”. Nuk lejuam manipulimin me FSK-në përmes insinuatës për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pa nevojë, e as iniciativat për copëtim të Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial apo korrigjimit të kufijve.

Në 100 ditë treguam se çfarë të ardhme mund të ndërtojmë kur bëhen bashkë dëshira për një jetë më të mirë dhe vullneti për t’i shërbyer vendit. VETËVENDOSJE!-a është mundësia për qytetarin që kërkon punë të ndershme dhe pagë të dinjitetshme; garancia që shteti shërben për të gjithë dhe mbron më të dobëtit; aftësia për të rritë buxhetin, prodhimin dhe eksportin; angazhimi për të siguruar edhe drejtësinë edhe paqen.

Atëherë, çfarë ndodhi? Përse u ndërpre qeverisja e mirë?

U ndërpre sepse ata që e kanë kapur shtetin në të gjitha anët u kapën bashkë kundër qeverisjes së mirë. Shteti i kapur nuk e duron qeverisjen e mirë dhe të korruptuarit nuk e durojnë drejtësinë. Beteja ndaj shtetit të kapur duhet të zhvillohet në çdo nivel dhe në çdo institucion. Më 6 tetor dhe 3 shkurt ne çliruam vetëm qeverinë nga politikanë dhe zyrtarë të korruptuar, por ju e patë se si reaguan regjimi i vjetër dhe kapësit e shtetit.

Ju ishit dëshmitarë se si Presidenti i zgjedhur me vota të kontrabanduara në parlament u vërsul me gjykata e me të gjitha institucionet kundër qeverisjes së mirë. Natyrisht, ai te Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk gjen bashkëpunëtor, por i gjeti te Lidhja Demokratike, udhëheqja e së cilës e braktisi qeverisjen e mirë dhe braktisi qytetarët të cilëve ju premtoi një qeveri të ndryshimit.

Tani janë të gjithë së bashku në një qeveri Koti që për kumbar e ka Presidentin e PDK-së. Por, mirë që janë bashkë, sepse këta bashkë kanë qenë për 20 vjet në vjedhje, zhvatje e korrupsion. Në mesin e kësaj pandemie që po rrezikon shëndetin tonë dhe që i vendosëm maskat për të mbrojtur shëndetin tonë, më në fund ranë maskat e një kaste politikanësh të korruptuar. Tash kurrë s’ka qenë më e lehtë me e nda të mirën nga e keqja. Kapësit e shtetit e të korruptuarit në njërën anë, dhe, populli në anën tjetër. Dhe: jo çfarëdo populli.

Ne jemi popull i lashtë dhe i drejtë. Ne kurrë nuk kemi pushtuar të tjerët por as nuk kemi pranuar nënshtrimin ndaj të tjerëve. Ne jemi popull ilir dhe çdoherë kemi luftuar për liri. Vendi ynë është i pasur me natyrë të bukur, fusha pjellore, pasuri nëntokësore e me njerëz të mirë. Këtu i kemi të parët tanë e këtu na rreh fort zemra jonë. Vend tjetër nuk kemi, atdhe tjetër nuk kemi, prandaj edhe duhet ta bëjmë shtetin që meritojmë.

Ne vërtetë mund të jemi popullsi e varfër, por jemi të drejtë e krenar. Jetojmë thjeshtë, por me nder, paguajmë faturat në fund të muajit, jemi të durueshëm e edhe falim, por nuk durojmë padrejtësitë. Nuk durojmë kur në emrin tonë gënjejnë e mashtrojnë, nuk durojmë kur përdhoset dinjiteti dhe vlerat tona. Prandaj, e mira dhe e drejta mund të vonojnë, por ato vijnë. E, padrejtësia që u bë në mars të këtij viti, ndaj qytetarëve që votuan për ndryshim, është vetëm një episodë e trishtë që qytetarët do ta kujtojnë në zgjedhjet e reja. Sepse, në demokraci padrejtësitë i luftojmë me votë, të korruptuarit i dënojmë me votë, shtetin e kapur e çlirojmë me votë.

Unë sot jam i mbushur me shpresë se ditët më të mira janë para nesh, se të rinjtë që kërkojnë një edukim më të mirë e kuptojnë që koha për ndryshim ka ardhur, se qytetarët që kërkojnë kujdes shëndetësor, punë dhe paga, e kuptojnë se koha për ndryshim ka ardhur, se tashmë e kemi kuptuar të gjithë se asgjë nuk e ndal dot një popull të bashkuar që kërkon ndryshim.

Të dashur qytetarë, janë të panumërt gjithë ata njerëz që na kanë sjellë këtu e po na shpiejnë përpara. Kurrë nuk ka qenë më i madh numri i atyre që na kanë ndihmuar e përkrahur, e të cilët nuk i njohim, e që kurrë nuk do t’ua mësojmë emrin. Qytetari i panjohur është heroi i ditëve të sotme.

Të nderuar të pranishëm, në javën e kaluar, Presidenti ka ngritur një dilemë: nëse është apo nuk është hajn. Një qytetar i ri, mbase student, nga ky shesh, e quajti Presidentin hajn, ama pa ia përmendur emrin. Mirëpo, truprojat private të Presidentit e dinin se ky qytetar e ka fjalën për Presidentin. Prandaj edhe ju vërsulën qytetarit student.

Të dashur qytetarë, ne nuk kemi ende prokurori të guximshme dhe as gjyqësor të paanshëm që do ta vërtetonte hajninë e Presidentit. Andaj, mbase ai u frikësua që gjyqi do t’i bëhej në shesh. Dhe që të mos e lëmë pa e zgjidhur atë dilemë: Presidenti është hajn, por jo edhe shumë gjatë, edhe ndonjë muaj. Ai do të shkojë dhe nuk do të mund të vjedhë më. Ashtu sikurse sot që Nijazi Thaçi nuk mund të vjedhë në KEK dhe as Bedri Istrefi nuk mund të vjedhë në Telekom.

Siç e dini, ne nuk e kemi pranuar vendimin e gjykatës kushtetuese. Nuk e kemi pranuar sepse është vendim i padrejtë i cili fuqinë e qytetarëve për të vendosur përmes votës së lirë e delegon te Presidenti i zgjedhur me vota të kontrabanduara në parlament. Ju e patë se si ky Presidenti nuk i kishte votat për të dekretuar qeverinë e re dhe duke shkelur kushtetutën në ora një pas mesnate shantazhon deputetët për të kontrabanduar qeveri. E kujt është kjo qeveri Koti? Kë përfaqëson kjo qeveri Koti?

Kjo qeveri me vendimin e kontrabanduar të gjykatës dhe votën e kontrabanduar të Presidentit është qeveri e turpit e cila është zgjedhur për të bërë dëme e jo punë.

E dëmet tashmë kjo qeveri i ka filluar. Në ditën e dytë të punës së saj e hoqën reciprocitetin me Serbinë. Heqja e reciprocitetit është nënshtrim ndaj Serbisë. Këta duan të shkojnë në dialog të nënshtruar, por ne e dimë pse është kështu: sepse këta janë të kapur nga krimi e korrupsioni prandaj edhe janë edhe të shantazhuar edhe të nënshtruar.

Andaj edhe nuk e pranojmë heqjen e reciprocitetit sepse nuk e pranojmë shkeljen e sovranitetit, subjektivitetit dhe integritetit territorial, nuk e pranojmë nënshtrimin e Kosovës ndaj Serbisë. Njëjtë siç nuk pranojmë ndarjen dhe copëtimin e Kosovës. Asnjë marrëveshje me Serbinë nuk mund të dialogohet nga një qeveri e pakicës shqiptare. Kjo qeveri i ka vetëm 40 deputetë nga 100 deputetë shqiptarë dhe nuk ka as legjitimitetin dhe as kredibilitetin që të dialogojë në emër të Republikës.

Prandaj, ne do të jemi në parlament, në shesh e kudo për të mbrojtur Republikën. Marrëveshjet e dëmshme me Serbinë nuk mund t’i pranojmë dhe dialogu i nënshtruar ndaj Serbisë nuk pranohet.
Vetëm zgjedhjet e reja të cilat respektojnë votën e qytetarëve për ndryshim mund të kthejnë legjitimitetin e humbur të institucioneve.

Kur janë bërë tri vjet të Lëvizjes, më 12 qershor 2008, kemi njoftuar se VETËVENDOSJE! është për afrim, integrim dhe bashkim me Shqipërinë, në tre vjetorin tonë. Në pesë vjetorin tonë, më 12 qershor 2010, kemi njoftuar se përveçse jashtë institucioneve do të angazhohemi edhe brenda institucioneve, strategjisë tonë jashtë institucionale do t’ia bashkangjisim mënyrat brenda institucionale. Dhe, sot, në 15 vjetorin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përveç Qendrës në Republikën e Shqipërisë, fillojmë me iniciativën për formimin edhe të VETËVENDOSJE!-s në Maqedoninë e Veriut. Pra, do të ketë VETËVENDOSJE! në Kosovë, do të ketë VETËVENDOSJE! në Shqipëri, do të ketë VETËVENDOSJE! në diasporë, por do të ketë VETËVENDOSJE! edhe në Maqedoninë e Veriut; ashtu që në përvjetorin e ardhshëm të mos flasë vetëm Boiken Abazi, por edhe dikush tjetër nga Shkupi, Tetova, Gostivari a Kumanova.

Të dashur qytetarë, në këtë vit dhe në vitin që vjen neve do të na ngelet i gjithë pushteti në duart tona, pushteti qendror këtu, por edhe ai lokal nëpër komuna. Pra, do të fitojmë të gjithë krejt. Kjo do të na gëzojë shumë, por, por, duhet edhe të na brengosë për punët e shumta e përgjegjësinë e madhe që do të kemi. Andaj, bëhuni gati për krejt pushtetin. Do të ikë kjo qeveria Koti, e ne nuk kemi kohë për të humbur, ne nuk kemi kohë koti.

Ju falenderoj që po mbani distancën fizike dhe maskat mbrojtëse. Ky tubim, së brendshmi, e mban distancën fizike shëndetësore, por, së jashtmi, na e mban distancën politike sanitare nga regjimi i vjetër. E mbajmë nën hijen e Skënderbeut, e pranë Teatrit Kombëtar, ku veç një titull mund të ketë kjo shfaqje e jona: “Maskat kundër maskarenjve” – Maskat e shëndetit kundër maskarenjve të politikës.
Në këto 15 vite, jemi përforcuar, po shtohemi, po rritemi, po zgjerohemi, do të fitojmë, sërish, edhe më shumë, sepse: duhet.

Ju falemnderit.

15 vjet janë shumë në jetën e një njeriu, por 15 vjet janë pak për të gjithë këto të arritura të Lëvizjes tonë. Edhe 21…

Gepostet von Albin Kurti am Samstag, 13. Juni 2020

Të ngjashme