Flasin nga VV-ja: Grainca nuk ka profil në rrjete sociale, do t’i lajmërojmë në polici faqet e rreme

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Ditëve të fundit një profil me emrin e deputetes së LVV-së, Adelina Graincës ka shpërndarë disa statuse, përfshirë këtu edhe një lajm për kalimin e saj në partinë e Albin Kurtit dhe xhaxhain e saj për të cilin u tha se ka bërë pazare me Vetëvendosjen.

Mirëpo, në LVV po thonë se ky profil nuk është zyrtari i deputetes në fjalë.

Nga zyra për media e LVV-së kanë thënë se profili i saj është në proces të verifikimit e se faqet që po shpërndajnë lajme në emër të saj do të paraqiten në polici.

“Aktualisht deputetja Grainca është në procedurë të verifikimit të profilit dhe faqes së saj. Faqet të tjera që shpërndajnë lajme nuk janë të saja dhe janë duke bërë shkelje e do të paraqiten në polici. Sapo të verifikohet faqja do të ju njoftojmë zyrtarisht”, thuhet në përgjigjen e LVV-së për Gazeta Express.

Të ngjashme