Flet i dyshuari për kërcënimin: Ishte postim kot, s’kishte të bënte me kryeministrin Kurti

Prishtinë | 03 Nën 2021 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Kujtim Kurti i dyshuar për kërcënimin ndaj kryeministrit Albin Kurti, ka dhënë detaje lidhur me akuzat që rëndojnë mbi të. Ai tha se shkrimi i tij ka qenë shprehje e mendimit të lirë dhe fjalës së lirë, derisa shton se postimi i tij s’kishte të bënte me kryeministrin Albin Kurti, shkruan Gazeta Express.

Kurti në emisionin “Frontal” në T7 tha se ajo çfarë ka ndodhur me të është diktaturë.

“Albin Kurti ka në gjithë botën dhe janë mijëra njerëz me emrin Albin Kurti apo Kujtim Kurti. Është emër abstrakt, por Policia e Kosovës, njësia antiterrorizëm mendon se unë i jam drejtuar kryeministrit Albin Kurti. Ky është një gabim i tyre. Kjo është një diktaturë ndaj fjalës së lirë, ndaj mendimit të lirë, me ia ndalu njerëzve që me e shpreh mendimin e tyre ndaj personave të caktuar në shoqërinë tonë. Unë shpreh indinjatën time ndaj sistemit diktatorial që është instaluar në Kosovë përbrenda njerëzve, ndaj mendimit të tyre të lirë dhe shprehjes së tyre kundër ngjarjeve negative që ndodhin në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai deklaroi se postimi i bërë nga ai ka qenë kot dhe se nuk i është drejtuar askujt.

“Ky postim është ndaj askujt. Thjeshtë abstrakt. Unë nuk kam cek në postim p.sh kur kryeministri Albin Kurti, apo nuk kam publikuar ndonjë fotografi të kryeministrit Albin Kurti, ose nuk e kam përmendur askund kryetarin e LVV-së. Thjeshtë postimi nuk ka të bëjë aspak me kryeministrin Albin Kurti. Thjeshtë është postim koti. S’ju kam drejtuar askujt”, ka thënë ai.

Kurti i cili jeton në Gjermani tha se Kurti po tenton që t’i frikësojë njerëzit.

“Unë jetoj në Gjermani. Jam person publik dhe nuk më kanë shkruar mua por e kanë shqetësuar familjen time pa asnjë arsye. Kjo Qeveria Kurti po tenton që t’i frikësojë njerëzit me këto metoda. Këto metoda janë si të Sllobodan Millosheviqirt që i ka përdorur në vitet e 90’ta që me i frikësu njerëzit që mos me e dhënë mendimin e lirë”, deklaroi ai në T7.

Të ngjashme