Flet Ministri i Brendshëm për aksionin në Karaçevë: Nuk do të jetë i fundit

Prishtinë | 19 Sht 2020 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka thënë se do të ketë edhe aksione tjera kundër krimit, korrupsionit dhe lojërave të fatit. Ka thënë se veprimet e Policisë në Karaçevë do të duhet të ndodhin më herët.

Ministri i Brendshëm ka thënë se në aksionin e mbrëmshëm të Policisë gjithçka ka shkuar sipas planit të përgatitur nga organet e hetuesisë dhe ndjekjes.

“Aksioni ka shkuar mirë, është përgatitur në mënyrë të duhur. Lufta ndaj krimit, korrupsionit, lojërave të fatit nuk do të ndalet me këtë aksion”, ka thënë Veliu, në një bisedë të shkurtër për Express.

Ai ka paralajmëruar edhe aksione tjera në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Ka thënë se nuk do të kursehet askush në këtë betejë.

“Nuk do të jetë aksioni i fundit të policisë në luftë kundër krimit, korrupsionit dhe lojërave të fatit”, ka shtuar ai.

Mbrëmë, Policia e Kosovës ndërmori një aksion ku prangosi 33 persona, në mesin e të cilëve edhe 10 policë.

Në kohën kur Kryeministër ishte Albin Kurti, ky aksion nuk ishte përkrahur. Albin Kurti kishte thënë se nuk lejoi aksionin në Karaçevë pasi nuk dihej saktë se e kujt ishte ajo pjesë dhe nuk kishte një dokument në formë analize për aksionin.

Agim Veliu, Ministër i Brendshëm, edhe para disa kohësh kishte thënë se Albin Kurti nuk ka pasur guxim t’u japë përkrahje institucioneve të rendit, për të marrë aksione kundër krimit dhe korrupsionit.

Të ngjashme