Flet Salih Zyba: Nuk pendohem për kërcënimin ndaj Shpend Ahmetit

Prishtinë | 09 Tet 2019 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba dy ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që e nxorën partinë e tij si të parën, kërcënoi ish-partiakun e tij, e kreun e PSD-së, Shpend Ahmetin duke e krahasuar të njëjtin me ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharkun. Një ditë pasi që ky status i tij u kritikua ashpër, Salih Zyba ka folur për Gazetën Express.

Pas humbjes së PSD-së në zgjedhjet e gjashtë tetorit, zyrtari i lartë i VV-së, që në mandatin e fundit kishte qenë deputet, Salih Zyba zgjodhi që të krahasoj ish-partiakun e tij Shpend Ahmetin me Xhabir Zharkun, ish-kryetarin e Kaçanikut  që ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për shkelje të ligjit me tre vite burg, e pas marrjes së vendimit ishte arratisur për në Suedi, derisa, kishte përfunduar afati kur mund të vihej nën pranga.

Zyba shkroi në Facebook se Shpend Ahmeti përveç se nuk do të jetë deputet, do të përfundojë duke u larguar nga Kosova, njëjtë si kishte vepruar Zharku.

Për këtë shkrim të tij pati kritika të ashpra nëpër rrjete sociale. Për të sqaruar atë se çka ka nënkuptuar me atë status në Facebook, Gazeta Express ka kontaktuar Salih Zybën.

Zyba ka thënë se ajo se çka ka nënkuptuar me shkrimin në Facebook, nënkuptohet nëse statusi lexohet më shumë se dy herë. Mirëpo, i njëjti insiston se për më shumë sqarime duhet të flasë zyra për media në VV.

“Kush e lexon ma shumë se dy herë gjithsesi e kupton, përmes zyrës për media e japin ne opinionin më të gjerë edhe sqarimin”, ka thënë zyrtari i VV-së.

I njëjti, ndërkaq, i pyetur se a është penduar për mënyrën se si është shprehur, shton se nuk e kishte asgjë për qëllim të keq.

“Ska për me u pendu, as për me e ranu, as s’ka pas qëllim të keq. Këtë rast duhet me e sqaru qysh duhet jo veç me e hjeke gajle, po për momentin unë jam në një takim, sepse secilin send duhet me e sqaru”, ka thënë Zyba shkurtimisht.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe zyrën për media në Vetëvendosje, për të kërkuar një përgjigje për këtë çështje.

Nga sekretariati për media kanë thënë se lidhur me atë çka ka shkruar Zyba në Facebook kanë përgjigjen që mbrëmë dha lideri i partisë, Albin Kurti.

“S’jam për krahasime të tilla. S’e kam lexuar, por s’jam për krahasime të tilla. Mendoj se kemi punë më të mençura të merremi se kush çka ka bërë, kush kaloi e çka bëri. S’na takon kjo neve. Jam për dashuri të madhe për vendin tonë, angazhim maksimal për progresin e jo për të humbur kohë e as nerva për çështje të së kaluarës e hatër mbetje. Edhe për ato problemet e brendshme në VV s’kam lejuar që për shkak të degës e gjetheve të mos e shoh malin. S’jam për atë qasje, por liria e shprehjes normalisht. Opozitarizimin për Prishtinë s’e bëjnë deputetët, por dega e Prishtinës”, tha Albin Kurti, mbrëmë i pyetur për këtë temë.

Për atë se çka tha Salih Zyba dje kanë reaguar edhe ish-zyrtarët e VV-së, tash anëtarë të PSD-së, Fisnik Ismaili e Frashër Krasniqi.

Krasniqi tha se ishte Salih Zyba ai që shkonte duke qarë në zyrat e Komunës, duke kërkuar që t’ia punësojnë motrën, derisa shton se sot i njejti ka marrë rolin e gjykatësit suprem.

Fisnik Ismaili në anën tjetër tha se Zyba me shumë vështirësi e siguroi pozitën e deputetit, pasi që fillimisht kishte dështuar në vitin 2014-të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme