Fletarresti ndaj Nasim Haradinajt: Frikësim i dëshmitarëve, hakmarrje e shkelje e fshehtësisë së procedurës

Prishtinë | 27 Sht 2020 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë konfirmuar të shtunën se nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, dyshohet për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në versionin në anglishte dhe të redaktuar të fletarrestit, janë paraqitur dyshimet ndaj tij:

  1. “Ekziston dyshimi i bazuar se Nasim Haradinaj është penalisht përgjegjës për tentimin për kryerjen e shkeljes së frikësimit gjatë procedurës penale, në pajtim me Nenin 387 të Kodit Penal. Në mënyrë specifike, ekziston dyshim i bazuar se Haradinaj mbajti tri konferenca shtypi më 7, 16 dhe 22 shtator, ku shpërndau apo vuri në dispozicion në mënyra tjera për mediat informata konfidenciale dhe jo-publike, ashtu si edhe dokumente të lidhura me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përmendi me emër dëshmitarë të caktuar (potencialë) dhe dha informata lidhur me vendbanimin e tyre, si dhe detaje tjera personale”, shkruhet në fletarrestin ndaj Haradinajt, i cili është bërë publik krahas njoftimit të transferimit të tij në Hagë.
  2. Ekziston po ashtu dyshimi i bazuar se Haradinaj është penalisht përgjegjës për kryerjen e veprës së hakmarrjes, në pajtim me Nenin 388 të Kodit Penal. Në mënyrë specifike, ekziston dyshimi i bazuar se Haradinaj mbajti tri konferenca shtypi më 7, 16 dhe 22 shtator të 2020-s, ku shpërndau apo vuri në dispozicion në forma tjera për mediat, informata konfidenciale dhe jo-publike si dhe dokumente lidhur me punën e Zyres së Prokurorit të Specializuar, përfshirë emrat dhe detajet personale të dëshmitarëve (potencialë), rrjedhimisht duke i ekspozuar këta individë përballë rrezikut potencial për sigurinë e tyre.
  3. Më tej, ekziston dyshimi i bazuar se Haradinaj është penalisht përgjegjës për kryerjen e veprës së shkeljes së fshehtësisë të procedurës, në pajtim me Nenin 392 të Kodit Penal. Në mënyrë specifike, ekziston dyshimi i bazuar se Haradinaj mbajti tri konferenca shtypi më 7, 16 dhe 22 shtator 2020, duke shpërndarë apo vënë në dispozicion në forma tjera për mediat, informata konfidenciale dhe jopublike si dhe dokumente lidhur me punën e Zyres së Prokurorit të Specializuar, përfshirë emrat dhe detajet personale të dëshmitarëve (potencialë).
  4. Ekzistojnë dyshime për të besuar se arrestimi i Haradinajt është i nevojshëm, pasi që ekziston rreziku i arratisjes së tij.

Për veprën e njëjtë ishte arrestuar të premten edhe kreu i OVL-së, Hysni Gucati.

Specialja ka thënë se për paraqitjen e parë të Haradinajt para gjykatësit në Hagë do të njoftohet më vonë.

Të ngjashme