Fondet e MCC-së bllokada e parë që amerikanët do t’ia bëjnë Kosovës

Prishtinë | 11 Shk 2020 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi Special i Donald Trump, Richard Grenell, e kërkon me ngulm heqjen e taksës nga Kosova. Përveç kësaj, ai nuk e mbështet as idenë e kryeministrit Albin Kurti për vendosje të masës së reciprocitetit e më pas heqje të taksës.

E derisa nuk ka marrë ende ndonjë qëndrim të qartë nga Kosova sa i përket kësaj problematike dhe kërkesës së tij, Grenell ka paralajmëruar se mund të ketë edhe sanksione për Kosovën. Në një replikë që i ka bërë Petrit Selimit, Grenell ka thënë se për të funksionuar fondet amerikane për Kosovën, duhet hequr taksa.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës që tashmë drejton “Millennium Foundation Kosovo” përmes një shkrimi në profilin e tij në ‘twitter’, ka shkruar rreth investimeve amerikane nga “Millenium Challange” të cilat janë paraparë të bëhen në Kosovë.

“Investimet e radhës për Kosovën nga “Millenium Challange” janë planifikuar nga bugjeti i administratës së Trump. Një marrëveshje kompakte pritet që të që bëjë një nxitje të madhe të infrastrukturës energjetike dhe që do t’i mundësojë partneritetit publik-privat t’i sjellin rritje ekonomike Kosovës”, ka shkruar Selimi.

Ndërkohë ndaj këtij shkrimi ka reaguar emisari special i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili në një formë ka paralajmëruar bllokimin e fondeve të tilla në rast se taksa nuk hiqet.

“Tarifat duhet të hiqen në mënyrë që të funksionojnë investimet. Është fundamentale”, ka shkruar Grenell.

Grenell edhe gjatë vizitës së tij të fundit kishte kërkuar heqje të taksës me qëllim të rinisjes së dialogut.Megjithatë rezistencë e madhe kundër heqjes së taksës është duke u bërë nga partitë opozitare, sidomos nga AAK’ja e Ramush Haradinajt, qeveria e të cilit edhe e ka vendosur taksën.

Të ngjashme