Formimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re nuk ndikohet nga ankesat në Kushtetuese

Prishtinë | 13 Nën 2019 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Analistët kosovarë thonë se formimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re nuk ndikohet nga ankesat në Kushtetuese.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të certifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor, pa pasur nevojë të pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në rast se në këtë instancë subjektet politike dërgojnë ndonjë ankesë, thonë njohës të çështjeve juridike kushtetuese.

Pas përfundimit të procedurave dhe rinumërimit të votave, sipas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme, me certifikimin e rezultateve mund të fillojë konstituimi i institucioneve të reja, thonë ekspertët.

Aktualisht, ankesat e subjekteve politike kanë mbërritur vetëm në instancat e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa dhe Gjykatës Supreme.

Ndërkaq, koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë kishte paralajmëruar se do t’i drejtohej edhe Gjykatës Kushtetuese nëse kërkesat e këtij koalicioni nuk trajtohen drejtë nga dy instancat e para.

Profesori i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultati përfundimtar, nuk ka nevojë të pres ndonjë ankesë apo vendim eventual të Gjykatës Kushtetuese.

“Sa u përket ankesave, përkitazi me procesin elektoral zgjedhor të 6 tetorit deri në Gjykatën Supreme shkojnë ato. Dhe pasi të përfundojnë ato (ankesat), absorbohen trajtohen, pranohen ose refuzohen dhe kalojnë afatet e caktuara, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i detyruar ta bëjë certifikimin e rezultatit dhe nuk është i detyruar të pres ndonjë parashtresë se si do të përfundojë lënda në Gjykatën Kushtetuese”, tha Baraliu.

“Sa i përket procesit ankimor, nga KQZ’ja në PZAP dhe nga PZAP’ja në Gjykatën Supreme, aty përfundohet procedura administrative e trajtimit të çështjeve elektorale dhe ankimeve elektorale. Pra, nuk ka ndikim nëse çështja vazhdohet, sa i përket certifikimit të rezultateve dhe konstituimit të organeve, qoftë atyre legjislative, qoftë atyre ekzekutive në Republikën e Kosovës”, thekson Baraliu.

Ai rikujton se në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në vitin 2017, ka pasur një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, por deri në epilogun përfundimtar të Gjykatës, institucionet e reja janë formuar.

Baraliu rikujton rastin e zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës në garën në mes Arban Abrashit të Lidhjes Demokratike dhe Shpend Ahmetit, atëherë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, kurse aktualisht kryetar i Partisë Socialdemokrate, lëndë kjo që kishte zgjatur me muaj në Kushtetuese, por ndërkohë kishte vazhduar procedura e konstituimit të organeve lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur tashmë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të mbajtura më 6 tetor.

Rezultati u shpall më 7 nëntor, por ai nuk është certifikuar ende pasi që tani duhet të pritet edhe faza e ankesave dhe shqyrtimeve të tyre.

Pas ankesave të disa subjekteve politike, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të bëjë anulimin e votave nga Serbia dhe njëherësh të rinumërohen 1472 vendvotime.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, është bërë e ditur se tre deputetë të LVV’së kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së, pa e specifikuar se për cilin vendim të PZAP-së bëhet fjalë.

Gjykata Supreme, ka kohë 72 orë për të vendosur për ankesat eventuale.

Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thotë se procesi i rinumërimit të votave do të fillojë të mërkurën.

“KQZ-ja ka marrë konfirmimin nga institucioni përkatës se nuk ka ndonjë ankesë që është paraqitur lidhur më vendimin e PZAP-it, që e urdhëron KQZ-në të bëjë rinumërimin e rreth 1500 vendvotimeve”, tha Elezi.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate e kështu me radhë.

Çështje diskutabile, ndërkaq mbetet nëse koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë e kalon pragun prej pesë për qind, për të fituar ulëse gjatë mandatit të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës.

Nga komunitetet pakicë, Lista Serbe ka fituar 10 ulëset e garantuara për komunitetin serb, kurse 10 ulëse tjera të garantuara u janë ndarë komuniteteve joserbe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme