Fraksioni i parë i Listës “Guxo”, ndahet Iniciativa në Ferizaj

Prishtinë | 15 Kor 2021 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Lista “Guxo” e themeluar nga Vjosa Osmani përfundimisht është ndarë në dysh në Komunën e Ferizajt. Pakënaqësia e disa zyrtarëve të Iniciativës në Ferizaj, bëri që kjo parti të aplikojë për certifikim për zgjedhjet lokale të tetorit ndaras nga të pakënaqurit e partisë, shkruan Gazeta Express.

Edhe këta të fundit tashmë kanë aplikuar për certifikim në KQZ, por me një modifikim të emrit të subjektit.

Iniciativa qytetare “Ne Guxojmë”, në krye me Balton Dërgutin, së fundmi ka aplikuar për certifikim për zgjedhjet për Kuvend komunal në Ferizaj.

Këtë e ka konfirmuar për Express, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai tha se deri më tani për pjesëmarrje në zgjedhje kanë aplikuar gjashtë subjekte politike.

“Deri më tani kemi pranuar 6 aplikime të subjekteve politike, prej tyre 3 iniciativa qytetare, 1 parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur. Subjektet që kanë aplikuar deri më 15 korrik 2021 janë këto:  1.      Partia politike Lëvizja Qytetare Vatra ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Gjilan; 2.                Kandidati i pavarur Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në Kaçanik;  3.    Iniciativa Qytetare Lista Guxo ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj;  4.      Iniciativa Qytetare Ne Guxojmë ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj; 5.             Kandidati i pavarur Agim Gjeli ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Fushë Kosovë; dhe  6.    Iniciativa Qytetare Bashkë për Istogun ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Istog;”, ka thënë ai për Express.

Kjo periudhë për aplikim për pjesëmarrje në zgjedhje, sipas Elezit përfundon më 16 gusht.

“Është duke vazhduar periudha e aplikimit të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Kjo periudhë përfundon më 16 gusht”, deklaroi më tutje ai.

E tërë përçarja brenda Listës “Guxo”, erdhi pas insistimit të u.d. së kryetares, Donika Gërvalla, se në zgjedhjet lokale do të garojnë në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ish-koordinatori i Listës Guxo në Ferizaj, tashmë kryetari i Iniciativës qytetare “Ne Guxojmë”, Balton Dërguti ditë më parë ka deklaruar se do të shkojnë vetëm në zgjedhje lokale dhe jo me Vetëvendosjen, siç ka thënë Donika Gërvalla.

Derisa Gërvalla, e cila aktualisht e drejton iniciativën, ka kërkuar që të respektohet vendimi për shkuarjen në zgjedhje lokale bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Në zgjedhjet nacionale Lista Guxo ka garuar bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe së bashku arritëm që me forcën e votës ta bëjmë ndryshimin e pritur nga qytetarët e Kosovës. Prandaj jemi të bindur që garimi i përbashkët edhe në zgjedhjet lokale do të sjellë përfundimisht ndryshimin e shumëpritur në Kosovë. Prandaj Lista Guxo ka vendosur që në zgjedhjet e ardhshme komunale të marrë pjesë në lista të përbashkëta me Lëvizjen Vetvendosje. Kjo jo vetëm për arsye se Lista e Referendumit (VV + Guxo + Alternativa) arriti fitoren plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, por edhe sepse koalicioni ynë i përbashkët qeveritar ka dëshmuar se din dhe don ta bëjë ndryshimin e premtuar”, kishte shkruar Gërvalla.

Të ngjashme