Frashër Demaj për librin e historisë: Ma rrezikuat jetën por nuk mund ta cenojnë karakterin tim kombëtar

Prishtinë | 08 Tet 2020 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK’së, Frashër Demaj, ka folur në seancën e sotme për Masakrën e Reçakut, e cila në librin “Luftërat, Ndarjet, Integrimi” (1990-2008), kapitulli II-27”, është cilësuar si incident, raporton Express

Demaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës i ka quajtur shpifje tendencioze të gjitha reagimet ndaj publikimeve në këtë libër.

 “Gjatë këtyre ditëve janë bërë shumë shpifje, insinuate dhe gënjeshtra nga qarqe të ndryshme me cenim të imazhit publik të dikujt. Në shkrimet e Frashër Demajt, masakra e Reçakut nuk quhet ndryshe pos masakër në Reçak ose masakra e Reçakut, ju që s’lexoni kapni shikoni, ju të tjerët që keni qëllime tendencioze hiqni dorë nga këto situate sepse nuk ju bëjnë nder juve”, ka deklaruar Demaj.

Ai ka thënë se nuk mban përgjegjësi për smaterialet që nuk i ka shkruar ai, apo grupi punues i Kosovës në Agjencionin Shtetëror të Arkivave të Kosovës.  

“Unë dhe grupi punues i Kosovës mbajmë përgjegjësi vetëm për ato materiale të cilat mbajnë vulën e Agjencionit Shtetëror të Arkivave të Kosovës.  Meqë po e kërkoni, dhe unë jam i bindur që nuk e keni lexuar hiç, shikojeni librin në faqen 66 flitet për përpjekjet paqësore të Rugovës për pavarësi, në faqen 67 flitet për UÇK’në, gjithashtu e kam dërguar deklaratën nr 8 të 16 shtatorit ’98 që UÇK’ja ishte organizatë e organizuar dhe kishte hierarki dhe jo siç e quanin grup të armatosur ose grup terrorist”, ka deklaruar Demaj, transmeton Express.

“Pastaj në faqen 68 flitet gjithashtu për UÇK’në, në faqen 69 i keni refugjatët shqiptarë në kufirin Kosovë-Shqipëri, në faqen 69 flitet për masakrën e Reçakut sipas Humans Rights Ëatch, në faqen 70 flitet për masakrën e Reçakut sipas gazetës serbe ku kjo gazetë e quan incident, pra e quan gazeta Vreme e nuk e quajnë as burimet e Kosovës as Frashër Demaj”, ka deklaruar profesori i historisë.

Demaj ka deklaruar se nuk ka shkruar asnjë fjalë që cenon dinjitetin kombëtar e shtetëror.

“Pra ata që kanë shpifur aq shumë, ata që më kanë linçuar këto ditë, ata që më kanë fyer në mënyrat më të pista, ata që kanë rrezikuar jetën time dhe të familjes time, ata që nuk kanë dinjitet as karakter njerëzor, le të vazhdojnë të më linçojnë, le të më shajnë e të më fyejnë, por asnjëherë nuk më frikësojnë. Ata duhet ta dinë se s’mund ta cenojnë identitetin akademik as kombëtar timin, ata duhet ta kuptojnë se shkenca i ka ligjet e veta, duhet ta dinë se unë nuk asnjëherë nuk kam shkruar asnjë fjalë që cenon dinjitetin kombëtar e shtetëror, ata që kanë sharë e shpifur për Skënderbeun, e  Isa Boletinin e kanë quajtur tradhtar, Azem bejtën, Nënë Terezën e kanë quajtur me terma që s’i nxjerr goja ime, pastaj Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin, ata janë njerëz të dështuar, ata s’mund të ma cenojnë imazhin tim publik”, ka deklaruar Demaj.

Të ngjashme