Fuqitë e mëdha të caktojnë afat për marrëveshjen me Serbinë, Kosova të dëshmojë vullnet e kreativitet

Prishtinë | 02 Pri 2022 | 08:14 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, i cili filloi 11 vjet më parë, e që u karakterizua me arritjen e një varg marrëveshjes që shumica nuk gjetën zbatim nuk dihet se kur do të marrë fund.

Madje njohësit e çështjeve politike thonë se nuk mund të ketë ndonjë afat të caktuar për përfundimin e këtij procesi pasi sipas tyre kjo çështje varet nga pala e tretë.

Në këtë rast pala e tretë konsiderohet të jenë sipas tyre Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, por edhe Gjermania apo edhe Britania e Madhe.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, konsideron se fuqitë e mëdha mund të vendosi një kohë se kur do të arrihen marrëveshja përfundimtare ndërmjet të dy shteteve.

Sipas tij, duhet bërë presion ngase Serbia nuk ka nevojë për një marrëveshje me Kosovën dhe do ta zvarrisë procesin sa më shumë që të mundet.

“Afat për dialog nuk mund të caktojmë ne sepse ne jemi palë e dialogut, faktori ndërmjetësues në këtë rast siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Gjermania apo edhe Britania që janë të involvuara në këtë proces, mendoj qe ata duhet ta caktojnë një far afati optimal se deri kur mund të shtyhet ky prolongim i dialogut. Ne kemi 11 vite që jemi në proces të dialogut dhe askund nuk jemi gati me përfunduar këtë proces prandaj mendojë se faktori ndërmjetësues në njëfarë mënyre duhet me caktuar një afat të mundshëm kur duhet me u arritur marrëveshja”.

“Nëse vazhdojmë kështu Serbia mund të mos e ketë nevojën për një marrëveshje dhe ajo vazhdimisht gjen arsye për me shtyrë procesin prandaj duhet të kemi një afat që me gjasë ndoshta mund të jetë edhe ky vit që jemi tash. Bashkimi Evropian e di cila është fuqia e autoriteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për me bë presion tek palët që me arrit një marrëveshje. Ne kemi pasur një proces 11 vjeçar të ndërmjetësuar nga Brukseli ku janë arritur disa marrëveshje teknike ku shumica prej tyre nuk zbatohen”.

Ai ka shtuar se nga Brukseli ende asnjëherë nuk është thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi do të përfundojë me njohjen reciproke.

Demhasaj thotë se edhe Qeveria e vendit nuk ka vullnet për arritjen e një marrëveshje dhe nuk ka një platformë të qartë për këtë proces.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ngurrojnë me thënë se qëllimi dhe synimi i marrëveshjes dhe marrëveshja që duhet ta përmbajnë ndërmjet vete është që ky proces të përfundojë me njohjen reciproke të Kosovës me Serbinë, në anën tjetër nuk e kemi të thënë këtë nga asnjë zyrtarë i Brukselit që është i involvuar në procesin e dialogut. Deri tash nuk kemi pa kurrfarë qasje nga institucionet tona sidomos nga Qeveria karshi dialogut”.

“Nuk kemi pa një vullnet të Qeverisë sonë për me arrit një marrëveshje, por nuk kemi pa që ka një platformë të qartë që Qeveria ka hartuar për dialog. Nuk po e shohim një gatishmëri për me shfrytëzuar këtë momentum që e kemi tash ku njëkohësisht kemi interesim të madhe nga Uashingtoni, Londra dhe Berlini, por edhe nga Brukseli që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të përfundojë sa më shpejt. Edhe ne duhet të tregojmë një vullnet që jemi për me arrit një marrëveshje dhe duhet të punojmë në drejtim të asaj që kjo marrëveshje të arrihet sa më shpejt”.

Përderisa ligjëruesi i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Ymeri tha se është e udhës që të vendosen afate, por që duhet të bijen dakord të gjitha palët.

“Afatet kohore për marrëveshje duhet të ketë nëse ka marrëveshje në mes të palëve të përcaktohen afatet se brenda çfarë kohe duhet të merreshin vesh. Në fazën kur jemi tash nëse njëra nga pakët synon t’a kornizojë dialogun nga aspekti kohorë, është e vështirë për faktin se di ta sfidojë tepër shumë atë palën në procesin negociues. Pala kosovare thotë se dëshirojë të kornizojë në aspektin kohorë marrëveshjet. Çka nëse marrëveshja nuk do të arrijë brenda këtij afati kohorë? Do të thotë se pala kosovare nuk ka bërë përpjekjet e duhura që ta përmbyllë këtë fazë”.

“Unë konsiderojë që kjo i takon më shumë palës së tretë pra negociatorëve ata të cilët do të ftonin merreshin vesh në lidhje me kornizimin e dialogut kohorë në mënyrë që ata brenda atij afati kohorë të bëjnë zgjedhjen e duhur sipas qëndrimeve të tyre”.

Ai tha se Qeveria e tanishme nuk guxon t’i marr disa hapa të cilat i ka marrë Qeveria e  kaluar, prandaj sipas tij, duhet që institucionet të gjejnë format dhe modalitetet dhe të tregohet kreative në arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, raporton EO.

“Qeveria e tanishme nuk guxon t’i marr disa veprime çfarë i ka bërë Qeveria e kaluar por është shumë e vështirë që të përmirësosh negociatat, si ta themi gabimet që ka bërë Qeveria e kaluar për aq kohë sa jemi në proces të saj. Sepse është proces që varet edhe nga pala tjetër që është në proces të këtyre negociatave. Kosova duhet që sa më parë të jetë e mundur të gjejë format dhe modalitetet dhe të tregohet kreative në arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”.

“Bashkimi Evropian është pala lehtësuese e negociatave por si palë duhet t’i kesh edhe disa mekanizma të tjerë politik çoftë ‘shkopin ose karotën’, por në kuptimin e detyrimit të palëve për të arritur një marrëveshje dhe e dyta është të stimulimit për të arritur një marrëveshje sa më shpejtë që është e mundur”.

Tutje shtoi se është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje, e cila sjellë paqe dhe stabilitet në rajon.

“Nuk dua të besojë që ka një garë, por dua të besojë që përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i japin një siguri Kosovës që sa më shpejt që të jetë e mundur ta mbyll këtë problematikë. Janë 11 vite që kur ka filluar procesi dhe ndonjë se ka pasur disa marrëveshje të pjesshme nuk është se kemi pasur një marrëveshje ose nuk është që nuk kemi bërë hapa në arritje të një marrëveshje finale. Prandaj pritshmëria për të arrit një marrëveshje duket të jetë minimale”.

“Është shumë e rëndësishme se çfarë marrëveshje do të arrihet. Është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje e cila sjellë paqe dhe stabilitet në rajon. T’i zgjedh përfundimisht dilemat mes Kosovës dhe Serbisë me një njohje reciproke. Sepse çdo marrëveshje që nuk i ka këto komponent do të hapë vetëm sfida mes këtyre dy vendeve”.

Të ngjashme