Ganimete Musliu: Shoqëria kosovare vazhdon të perceptohet si vend patriarkal, kuota gjinore të bëhet 50 për qind

Prishtinë | 07 Mar 2022 | 14:47 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, në seancën e jashtëzakonshme ku po debatohet lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri, tha se nuk mund të thurim elozhe për përparim dhe për ngritje të pozitës së gruas në vendin tonë, kur shoqëria kosovare vazhdon të perceptohet si vend me kulturë patriakale, raporton Ekonomia Online.

Musliu theksoi se gratë në çdo fushë të jetës dhe çdo ditë të vitit ballafaqohen me pabarazi dhe ky realitet nuk mund mbulohet me një kuotë të detyruar prej 30% e cila realizohet vetëm në ato segmente ku ndeshet drejtpërdrejtë me obligimin ligjor që ngërthen në vete ky detyrim.

“Në politikë, për shembull, gratë përballen me barriera kulturore dhe me stereotipe gjinore nga më të ndryshmet. Nga ofendimet për sa i përket inteligjencës, pamjes, prejardhjes e deri të morali i tyre. Barrierat që ju krijohen Grave në këtë fushë janë strukturore, mediatike dhe mentaliste. Dhe më e shëmtuara këtu është se, edhe në dikasteret shtetërore me të cilat menaxhojnë Gratë, ndodhë diskriminim i gjinisë femërore nga Gratë udhëheqëse të cilat në ato pozita jo rrallë vijnë duke e përdorur me mjeshtëri politikën gjinore.”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së kërkoi që të ketë më shumë gra në pozita udhëheqëse dhe të bëhet detyrim ligjor kuota 50 me 50.

“Pse mos ta bëjmë detyrim ligjor kuotën 50:50? Pse për një pozitë pune, në rast të përgatitjes së njejtë, mos ti jepet përprësi Gruas siç aplikohet nëpër shumë demokraci të zhvilluara? Pse mos të përmirësojmë legjislacionin që garanton siguri më të lartë për gratë dhe vajzat? Pse pozitat udhëheqëse nëpër sektorët shtetëror mos tu besohen më shumë grave. Dikush mund të kundërshtoj dhe të thotë se kemi Gra në pozita udhëheqëse. Po kemi, por shtrohet pyetja sa të pavarura janë gratë e zgjedhura në ato pozita?” , tha ajo.

Musliu u shpreh se pabarazia gjinore nuk është temë që trajtohet patetikisht, por duke u njoftuar drejtpërdrejt me sfidat e grave, të atyre që jetojnë në zona periferike, të studenteve, sportisteve, shkencëtareve, mjekeve dhe infermiereve.

“Në shumicën e rasteve pabarazia, zanafillën e saj e ka në familje. Prandaj shfrytëzoj rastin të apeloj të familjet që të investojnë në edukimin e vajzave të tyre, t´i forcojnë ato me vlera, arsimim dhe vetëbesim. Arsimimi dhe trajtimi i barabartë në familje janë armët më të sigurta që i jepen një vajze për tu bërë një grua sovrane në jetë.”, tha ajo.

Duke cituar frazën “Bac, çikat na e zbardhën ftyrën”, Musliu kërkoi trajtim të barabartë, e jo degjenerim të pozitës së gruas.

“Dua t´i falënderoj publikisht të gjitha ato gra e vajza, heroina të rëna në altarin e lirisë dhe të gjitha veteranet e Luftës sonë Çlirimtare. Pse ju kërkoj falje? Sepse si kategori e lavdishme u lanë nën hijen e burrave, heshtën ato, heshtëm edhe ne. Pse ju them faleminderit? Sepse ato treguan me vepra, se tradita jonë e vërtetë nuk njehë pabarazi primitive ndaj grave. Ato treguan se janë pasardhëset e vërteta të Teutës, Norës, Bubulinës, Elena Gjikës dhe Shote Galicës. Ato, jo vetëm që vertetuan guximin dhe shpirtin trimëror të Gruas, por demostruan në vepër barazinë e vërtetë gjinore, kurse shoqëria ato nuk i trajtoi njejtë.”, theksoi Musliu.

Të ngjashme