Ganimete Musliu sqaron përplasjen në Kuvend, thotë se VV përhapi spekulime se ajo është me Covid

Prishtinë | 10 Kor 2020 | 23:23 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka sqaruar gjithçka që ndodhi mes saj dhe deputetes Fitore Pacolli, pak para se të eskalojë situata mes deputetit të LDK-së, Xhavit Ukaj dhe kryeparlamentares Vjosa Osmani.

Musliu në një deklaratë për klankosova.tv tha se Pacolli e pengoi kur ajo dëshiroi ta marrë fjalën për një çështje jashtë rendit të ditës ku deshi të adresonte një dezinformatë që ishte përhapur në një faqe në Facebook se gjoja ajo ishte me koronavirus.

“E paralajmërova kryesuesen Arbërie Nagavci edhe kryetaren e Kuvendit që ta bëja një demantim që një faqe e afërt me VV-në ka bë një publikim të rrejshëm se gjoja jam me Covid-19. Gjatë gjithë ditës janë distancuar nga unë, pikërisht ata të Vetëvendosjes. Me mëngjes më kanë pyetur se nëse jam me virus. Nuk është turp dhe s’kam nevojë ta fshehë. Kjo ishte arsyeja që të apeloja te qytetarët që s’është turp ta kesh virusin”.

“Dy herë ia shpjegova në momentin që e marr fjalën. Disa kolegë të Vetëvendosjes shprehen keqardhje dhe kërkuan falje, por kur unë e marr fjalën ndërhyn Fitore Pacolli duke më bërë thirrje dhe presion me hy në rend të ditës. U detyrova t’i them ta mbyll gojën”.

“Kryetarja e Kuvendit në vend që të krijojë kushte që unë ta shpreh mendimi ajo më dha mua vërejtje dhe jo asaj që më pengonte. Kur ajo ma tërhoqi vërejtjen se e ofendova që veç i thashë ta mbyllte gojën. Deputetët e LDK-së u acaruan se pse s’ia tërhoqën vërejtjen Sali Zybës që i tha zëvendëskryeministrit Driton Selmanajt paranojak”.

Musliu tha se s’është asnjëherë pro dhunës dhe kur deputeti Xhavit Ukaj iu vërsul Vjosa Osmanit ajo shkoi të qetësonte situatën.

Deputetja e PDK-së edhe njëherë falënderoi deputetët e VV-së që ndan shqetësimin e saj për shpifjen që ishte bërë në faqen e Facebook-ut “Qeveria Kurti”.

Të ngjashme