Gashi: Arrestimi i Haki Rugovës i pabazuar ligjërisht, tendencë politike ndaj LDK-së

Prishtinë | 22 Tet 2020 | 08:33 | Nga Ekonomia Online

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se deklarata e kreut të kësaj partie, Isa Mustafës për arrestimin e Haki Rugovës nuk është ndërhyrje në drejtësi, raporton Gazeta Express.

Gashi foli në lidhje me deklarimin për media që bëri i pari i LDK-së, Isa Mustafa për arrestimin e nënkryetarit të kësaj partie, Haki Rugova.

Ai tha se nuk mund të konsiderohet ndërhyrje në drejtësi deklarimi i Mustafës, pasi sipas Gashit arrestimi i Rugovës nuk është i bazuar ligjërisht dhe siç tha ai “shihet që ka tendencë politike ndaj  Rugovës dhe LDK-së”.

“Ka indice të bazuara se arrestimi i Haki Rugovës është i pabazuar ligjërisht. Baza juridike për arrestim nuk ekziston. Nëse i merr të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare e sheh që Kosova qëndron më së keqi sa i përket arrestimeve sepse: arrestohet njeri, i bëhet gjyqi publik edhe në fund dalin të pafajshëm”, ka shtuar ai, teksa thotë se nga krejt procesi shihet se ka tendencë politike.

“ Për këtë arsye kjo është shpërfaqje e problemeve në sistemin e drejtësisë. Unë nuk po e vlerësoj nëse zotëri Rugova ka lidhje shkak-pasojë se do të vendosë gjykata në fund, por procesi si proces si është menaxhuar, shihet që ka tendencë politike ndaj zotit Rugova dhe LDK-së edhe dalja e zotëri Mustafës është me këtë qëllim”, tha Gashi në “Përballje”.

Kreut të Istogut, Haki Rugova që është edhe nënkrytar i LDK-së, iu është hequr masa e arrestit shtëpiak me anë të një vendimi që ka marrë Gjykata e Apelit.

Të ngjashme