Gashi: Business Processing Outsourcing do të parandalojë ikjen e të rinjve nga Kosova

Prishtinë | 27 Sht 2019 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Gashi, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Qeveria Kurti do të parandalojë të rinjtë kosovarë që të ikin nga vendi.

Kjo, sipas tij, do të arrihet përmes Industrisë së Business Processing Outsourcing e cila do të trajtohet si industri me prioritet dhe do të krijojë vende të punës.

“Outsourcing” është praktikë afariste në të cilën një kompani punëson një kompani tjetër ose individë, për të kryer detyra dhe ofruar shërbime, që më parë janë kryer nga punonjësit e kompanisë amë.

Postimi i tij i plotë:

Industria e Business Processing Outsourcing nga qeveria Kurti do të trajtohet si industri me prioritet, që do të rezultojë në punësim në masë, përmirësim të bilancit tregtar përmes eksportit të shërbimeve dhe parandalimit të ikjes së të rinjve nga Kosova për të gjetur punë jashtë Kosovës. Sipas një publikimi të The Guardian-it, Kosova është e para në listë për ikje të qytetarëve, me ç’rast vendin e kanë lëshuar 280,000 persona ose 15% e popullsisë.

Qeveria Kurti do të aktivizojë potencialin e rinisë sonë përmes alokimit të një shume financiare, që shërben për trajnimin dhe aftësimin e të rinjve tanë. Ajo reflekton kërkesën e kompanive të ndryshme globale, të cilat janë të interesuara për kapacitetet tona humane në Kosovë.

Po ashtu do të jemi përkrah të gjitha kompanive lokale, të cilat eksportojnë shërbime dhe kanë kapacitete për rritje të punësimit duke ofruar pako të mbështetjes për qira dhe pajisje.

Nëse qeveritë e kaluara do të kishin alokuar vetëm 10% të shumës së buxhetit të ndarë për bujqësinë në industrinë e BPO-së, në Kosovë do të krijoheshin minimum 5,000 vende të punës me paga mbi mesataren në Kosovën.

Më në fund erdhi dita që të krijojmë mundësi ekonomike në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme