Gashi: Gjithçka na bashkon dhe asgjë e askush nuk mund të na ndajë

Prishtinë | 27 Nën 2022 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në mbledhjen e përbashkët kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë tha se dy vendet kanë të njëjtën kulturë dhe se të dyja i bashkon gjithçka dhe s’mund t’i ndajë askush e asgjë.

“Të nderuar deputetë, me këtë flamur, për këtë flamur, rreth këtij flamuri, bashkë kemi qëndruar e kemi triumfuar gjithmonë, sepse ishim në të drejtën dhe në tokën tonë. Të parët tanë ishin të parët e kësaj toke dhe këtij qielli. Historia, gjuha, kultura e çdo shqiptari është një. Ndaj gjithçka na bashkon dhe asgjë dhe askush nuk mund të na ndajë. Ne kemi të njëjtat figura kombëtare”, tha Gashi.

Ai theksoi se babai i tij dhe të burgosurit në kohën e Jugosllavisë i përballonin torturat me ideal.

“Si djali i një të burgosuri politik në kohën e Jugosllavisë, më duhet të ndajë një histori nga bisedat me babën dhe miqtë e tij. Kur unë e pyesja se si arrinin t’i përballonin torturat e Jugosllavisë, përgjigja e tyre ishte se ‘ne kishim ideal flamurin, kishim identitet kombin dhe kishim ide shtetin e shqiptarëve’… Neve sot na takon ta kujtojmë historinë, t’i shohim gabimet dhe të ndërtojmë të ardhmën”, tha Gashi.

Të ngjashme