Gashi: Ka lobim për Kosovën, por i pamjaftueshëm

Prishtinë | 02 Dhj 2016 | 08:17 | Nga

Ibrahim Gashi, ish zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, ka thënë se për njohjen e pavarësisë së shtetit ka lobim, por se nuk mjafton.

“Kemi këtë numër që e kemi, kemi 113 shtete që e njohin Kosovën dhe nuk mund të kemi pritje edhe shumë të mëdha. Ka lobim, por asnjëherë nuk është i mjaftueshëm. Është veprim i kushtueshëm dhe Kosova nuk ka shumë kapacitete. I kemi të kufizuara shërbimet konsullore”, ka deklaruar Gashi.

Ndër të tjerash, ai tha se njohja e Kosovës nga shtetet e tjera, është tepër e rëndësishme për vendin, që rrugën e pavarësisë nuk e ka pasur të thjeshtë.

“Procesi i njohjeve është proces shume kompleks, por për Kosovën është jetik. Kosova pavarësinë e ka pasur përmes një rruge të tërthortë, dhe afirmimi për shtetin e Kosovës duhet të shkojë përmes njohjeve bilaterale”.

“Sa po afirmohet Kosova, matja bëhet përmes njohjeve që kemi marrë si shtet”.

Njohjen e shtetit të Singaporit për Kosovën, ai e ka cilësuar si tejet me vlerë për shkak se siç thotë Gashi, Singapori është një vend i fuqishëm ekonomikisht.

“Singapori ka një rëndësi të veçantë, sepse bëhet fjalë për një vend me një rëndësi të veçantë ekonomike. Është shtet që është një ndër qendrat financiare në botë, dhe të na njohë Singapori është tejet e rëndësishme”.

Përvec se që ka folur për njohjet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ai ka thënë se Partia Demokratike do t’i fitojë zgjedhjet në Drenas, duke thënë se PDK-ja po e rikonfirmon fuqinë që ka në regjionin e Drenicës. (KlanKosova)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme