Gashi: Kosova larg marrëveshjes finale me Serbinë, ekipi negociator i pamjaftueshëm

Prishtinë | 26 Jan 2019 | 08:32 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dialogu me Serbinë i nisur në vitin 2011 po thuhet se ka hyrë në fazën finale. Por, një gjë të tillë po e mohojnë njohësit e çështjeve politike.

Profesori universitar, Ibrahim Gashi, po thotë se Kosova ende është larg një faze finale të dialogut me shtetin serb, e problem për këtë sipas tij është vetë shteti serb.

Gashi në një intervistë për Ekonomia Online është shprehur skeptik se gjatë këtij viti mund të ketë një marrëveshje e cila do të nënkuptonte njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Dialogu nga ajo që po dëgjojmë sipas akterëve të cilët janë pjesë e këtij procesi po thuhet se ka hyrë në fazën finale, le të shpresojmë që ka hyrë në fazën finale, unë jam goxha skeptik që ka hyrë në fazën finale, sepse faza finale e dialogut do nënkuptonte arritje e një marrëveshje përfundimtare, obligative për të dy palët”.

“Kjo që po pretendohet se do kemi një marrëveshje me njohjen e shtetit serb, unë si profesor duke i njohur sa të vështira janë negociatat dhe bisedimet me Serbinë, duke i njohur planet destruktive që vazhdon me i pasë kjo klasë politike karshi Kosovës, nuk është se jam optimist se do ta kemi një marrëveshje gjatë këtij viti, aq më tepër një marrëveshje që do të nënkuptonte njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë”, ka thënë Gashi në një intervistë për Ekonomia Online

Problem për arritjen e kësaj marrëveshje sipas Gashit nuk do të jetë pala kosovare, por problemi për arritjen e kësaj marrëveshje do jetë pala serbe.

Pretendimet nga opozita se në fund të këtij dialogu, Kosova mund të përfundoj në një marrëveshje të dhimbshme i ka hedhur poshtë Gashi.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online, tha se kompromisi i Kosovës me Serbinë, nuk duhet të jetë i dhimbshëm për shtetin tonë, sipas tij Kosova nuk duhet të ngutet drejtë marrëveshjes me shtetin serb.

“Nuk mendoj që do duhej të kishim një marrëveshje të dhimbshme, marrëveshjet ndërkombëtare mes shteteve që kryhen me ndërmjetësim ndërkombëtarë, sigurisht që nënkuptojnë edhe kompromisin mirëpo nuk ka arsye që këto kompromise të jenë të dhimbshme për Kosovë”.

“Kosova duhet të sillet në këtë dialog si palë e barabartë me Serbinë, si një shtet sovran, i cili bisedon me një shtet fqinjë po ashtu sovran, dhe nuk ka nevojë që ne të shkojmë me çdo kusht drejtë një marrëveshje e cila në fund të ditës mund të duket e dhimbshme, nuk kemi nevojë të bëjmë marrëveshje të ngutshme që do jetë e dhimbshme”, ka thënë Gashi.

Ai tha se asnjëherë vendi ynë nuk duhet ta arrijë përfundimin e marrëveshjes me shkëmbim territoresh.

Gashi tha se ky ekip negociator për të biseduar me Serbinë është i pamjaftueshëm ngase sipas tij këtij ekipi negociator duhet t’i shtohen edhe akterë të tjerë politik.

“Nëse do kishte marrëveshje si rezultat i një kompromisi, që të dy palët do dilnin të kënaqura, atëherë edhe mund të shkohet drejtë një marrëveshje të tillë, por jo drejtë një marrëveshje që do nënkuptonte që Kosova do të humb territor në asnjë rrethanë, prandaj termi “marrëveshje e dhimbshme”, nuk mendoj që Kosova duhet të shkojë drejtë saj, të negociojë që në të vije në fund të një marrëveshje të dhimbshme, konsideroj që të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë dialog, që nga presidenti, por edhe nga ekipi negociator, kur jemi këtu mendoj që këtij ekipi duhet të i shtohen edhe akterë tjerë politik që nuk janë përfshirë ende”.

“…kam fjalën për opozitën sepse në temat e mëdha si janë temat nacionale, në këto procese të rëndësishme vendimmarrëse duhet të jenë të përfshirë të gjithë akterët politik në Kosovë. Edhe pozita ka përgjegjësinë e saj në planin e brendshëm, në politikën e jashtme nuk është se duhet të jetë e vetmuar dhe të marrë vendime të rëndësishme për vendin dhe politikën e jashtme si e vetmuar”, ka thënë Gashi për EO.

Gashi po vlerëson se Kosovës i ka ardhur koha që të arrijë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, pasi që sipas tij përderisa marrëdhëniet e vendit tonë me shtetin serb janë të panormalizuara atëherë Kosova to ta ketë të pamundshëm anëtarësimin e saj në OKB.

“Deri sa marrëdhëniet tona me shtetin serb janë të panormalizuara, i bie që ne do ta kemi të pamundshme anëtarësimin në OKB. Nëse do ta humbim këtë momentum me pasë një marrëveshje me Serbinë dhe do t’i humbim shumë shanse të tjera për afirmimin e shtetit të Kosovës në anëtarësimin e Kosovës në OKB, i bie që mund të drejtojmë gishtin ndaj atyre që kanë apstenu”, ka thënë Gashi.

Ai thotë se Kosova nuk duhet t’ia kushtëzojë shtetit serb marrëveshjen finale vetëm me një kërkim falje nga ana serbe për të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë ngase sipas tij këtë kërkim falje Serbia është dashur ta bëjë në qershorin e vitit 1999.

Të ngjashme